Top Talk/ PD do të futet në zgjedhje të parakohshme nëse Rama pranon? Spaho: Jo

24/05/2019 16:01

Presidenti Ilir Meta sot bëri një deklaratë, duke lënë të hapur mundësinë për shtyrjen e zgjedhjeve lokale dhe madje tha se është i gatshëm që të japë dorëheqjen.

Nën/Kryetari i PD-së Edmond Spaho tha në Top Talk se ky është një shembull shumë i mirë për Kryeministrin që të kuptojë se kur vendi shkon në një qorrsokak të tillë prej veprimeve të tija, ai duhet të tregojë karakteristikat e një burri shteti. Gazetari Denis Dyrnjaja e pyeti zotin Spaho nëse Rama është i gatshëm për zgjedhje të parakohshme, opozita do të futej në zgjedhje? Numri 2 i PD-së u shpreh se nuk do të futen.

“Nuk besoj se do të futemi në zgjedhje të parakohshme për 45 ditë edhe nëse Edi Rama është i gatshëm ta bëjë këtë hap, sepse këtu po flitet për rregullat që zgjedhjet të mos manipulohen më. Jo më kot ne kemi nxjerrë një platformë prej 10 pikash, të cilat përbëjnë detyrat për zgjedhje te ndershme”, argumentoi zoti Spaho.

Më pas, numri dy i PD foli edhe për protestat e opozitës, duke thënë se qytetarët po kërkojnë dhunë dhe jo paqe.

“Trajektorja e protestave ka ardhur në rritje. Po ju them se po të mos ishin drejtuesit e opozitës, shpërthimi i qytetarëve do të kishte qenë shumë i madh. Na akuzojnë se rruga paqësore që kemi zgjedhur neve nuk është e drejtë dhe se duhet radikalizim të situatës. Njerëzit duan zgjidhje. Kërkojnë të dëgjohen dhe nuk i dëgjon njeri”, e mbylli intervistën zoti Spaho.

Top Channel