Protestë globale për klimën/ Miliona të rinj protestojnë sot në 110 vende të botës

24/05/2019 08:50

Greta Thunberg është vetëm 16 vjeç, por tërhoqi vëmendjen e botës me apelet e saj në mbrojtje të ambientit.

Adoleshentja është kthyer sot në një prej zërave më të fuqishëm pas valës së grevave nëpër shkolla apo demonstratave kundër ndryshimeve klimatike që kanë nxjerrë nëpër rrugë të rinjtë europiane.

Greta është vetëm një shembull i asaj çfarë përfaqëson rinia sot. 28 milionë të rinj votojnë tani për herë të parë në zgjedhjet europiane, dhe për analistët, ata do të kenë impakt jo vetëm mbi parlamentin e ardhshëm europian, por edhe mbi politikat e BE-së në vitet që do të vijnë.

Me një elektorat potencial prej 400 milionë votuesish, zgjedhjet për legjislaturë në bllokun europian, që zhvillohen nga datat 23 deri në 26 maj në vende të ndryshme anëtare, jane ushtrimi i dytë më i madh demokratik në botë pas Indisë.

E në periudhën që parapriu votimet, të rinjtë e ngritën zërin e tyre për shumë çështje që i shqetësojnë, duke nisur nga të drejtat dixhitale e deri tek marshimet e të rinjve britanikë pro-Be që kërkojnë një referendum të dyte mbi vendimin e shkëputjes së Mbretërisë së Bashkuar. Sipas të dhënave të DW, në disa shtete anëtare, votuesit e rinj përbëjnë deri në 20% të elektoratit.

Çështja është a do të dalin në votime. Nëse dalin, impakti i tyre do të jetë i ndjeshëm, sidomos në ato shtete si Çekia apo Polonia ku qëndrimet politike ndryshojnë shumë nga brezi në brez.

Shqetësimet kryesore të votuesve të rinj lidhen me qëndrueshmërinë e vendeve të punës dhe ambjentin, por ndërkohë vihet re edhe një tërheqje turbulluese e të rinjve drejt ekstremit të djathtë apo partive anti-establishment si Vox-i në Spanjë apo Kotleba në Sllovaki.

Top Channel