Gucci, Saint Laurent dhe Alexander McQueen janë mes markave kryesore të modës, që janë angazhuar se do të punojnë vetëm me modele të moshës mbi 18 vjeç.

Të rinj dhe të reja nën këtë moshë nuk do të mund të përfaqësojnë më markat në pronësinë e grupit francez “Kering” duke filluar nga 2020.

Lajmi është dhënë nga presidenti i grupit, François-Henri Pinault, që ka aprovuar edhe rregullat e reja që do të aplikohen si në pasarela, ashtu edhe në sesione fotografike.

Pinault ka shpjeguar se lëvizja synon të frymëzojë edhe të tjerët në industri.

“Si një grup global i modës, ne jemi të vetëdijshëm te ndikimi që kemi te gjeneratat e reja, veçanërisht me imazhet e prodhuara nga shtëpitë tona. Ne besojmë se kemi përgjegjësinë për të ndjekur praktikat më të mira të mundshme në sektorin e luksit, e shpresojmë të krijojmë një lëvizje që do të inkurajojë edhe të tjerët”.

Industria e modës ka qenë shpesh në qendër të polemikave dhe është vënë nën kritika vitet e fundit për shkak të modeleve të masës zero. Por, edhe mosha e modeleve ka qenë shpeshherë temë debatesh. Pak vite më parë, Vlada Dzyuba, një modele ruse 14-vjeçare, u ndie keq dhe më pas humbi edhe jetën, episod që ndezi debatin për modelet minorene dhe ambientet ku ato punojnë.

Top Channel