Panele diellore për të varfrit/ Opozita britanike premton të pajisë çdo shtëpi

16/05/2019 12:44

Laburistët britanike kanë në plan të pajisin me panele diellore 1.75 milionë shtëpi, përfshirë banesat sociale apo godinat ku jetojnë familje me të ardhura të ulëta.

Një nismë e tillë është pjesë e revolucionit të gjelbër industrial që kjo forcë politike premton në vazhdën e përpjekjeve për të luftuar ndryshimet klimatike e për të hapur vende të reja pune.

Programi do të njoftohet nga vetë kreu i opozitës Jeremy Corbyn dhe sekretaria e biznesit në qeverinë e tij hije, Rebecca Long-Bailey.

Kjo, sipas laburistëve, do të siguronte mjaftueshëm energji për këto familje, duke i zbutur atyre barrën e faturave të energjisë elektrike e duke lehtësuar nga ana tjetër edhe rrjetin kombëtar.

750.000 familje të tjera do të kenë mundësinë që panelet t’i blejnë përmes granteve apo kredive pa interes. Partia e Corbyn parashikon që këto politika do të krijojne 16,900 vende të reja pune e do të reduktojnë ndotjen e 7.1 milione tonë CO2 në vit, e barazvlefshme kjo me heqjen e 4 milionë makinave nga rruga.

Ideja është një jehonë e marrëveshjes së re të gjelbër të propozuar nga demokratët në Shtetet e Bashkuara dhe ideve që kanë paraqitur të gjelbrit në Britani.

Top Channel