Mbi 1100 emigrantë të paligjshëm mbërrijnë në Kretë brenda një dite, humbi jetën dy prej tyre, katër të lënduar Një “koleksionues” oportunist shfrytëzoi një provë testuese për t’ia mbathur me një Ferrari, që vlen as më pak e as më shumë, por 2 milionë euro. I dyshuari kishte shprehur interesin për blerjen e prodhimit të vitit 1985, “Ferrari 288 GTO”, sipas asaj që bën të ditur policia në Düsseldorf të Gjermanisë.
Ai mbërriti me taksi deri tek ofruesi i automjetit dhe dy orë më vonë, gjatë provës testuese ishte koha perfekte për të “ndryshuar” shoferin. Menjëherë sapo shitësi doli nga automjeti, blerësi potencial i shkeli pedalin e gazit dhe u zhduk.
Automjeti u gjet, për fat të mirë, në një garazh. Sipas policisë, “automjeti historik” me 43 mijë km të përshkuara vlerësohet në mbi 2 milionë euro. Ndërkohë, të dhënat e publikuara në faqen e internetit të shitësit tregojnë se ajo makinë Ferrari i përkiste dikur ish-pilotit irlandezo-verior të Formulës 1, Eddie Irvine, i cili garoi për “kokëkuqen” italiane nga viti 1996 deri në 1999-n.
Makina të ngjashme nxirren shpesh në shitje, me çmime që variojnë rreth 1.5 apo 2 milionë paund, e zakonisht shiten përmes specialistëve të tregut apo nëpër shtëpitë e ankandeve si “Sotheby’s”.
Fatmirësisht për hetuesit, makina që s’kishte si të mos binte në sy, tërhoqi vëmendjen e kujtdo teksa lëvizte dhe shumë shpejt u gjet pasditen e së martës, pasi policia kishte bërë apel për dëshmitarë të mundshëm.

Fotografia e të dyshuarit në arrati
Ferrari u gjet i fshehur në një garazh në Grevenbroich, jo larg qendrës së Düsseldorfit, megjithatë, i dyshuari mbetet ende në arrati. Policia ka publikuar foton e tij teksa inspektonte automjetin luksoz përpara se të tentonte vjedhjen e tij. Në botë, vetëm 272 makina Ferrari të tipit “288 GTO” janë prodhuar.
Top Channel