Arabia Saudite ka thënë se dy nga transportueset e saj të naftës janë shënjestruar si pasojë e një “sulmi sabotues” në brigjet e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Ministri i Arabisë Saudite për Energjinë, Khalid al-Falih ka thënë më 13 maj se, një nga anijet transportuese ka pësuar një sulm pak përpara se të ngarkohej me naftë të papërpunuar saudite, për t’u dërguar më pas te konsumatorët amerikanë.

“Ky sulm nuk ka rezultuar me ndonjë viktimë apo rrjedhje të naftës, mirëpo ka shkaktuar dëme të mëdha në strukturat e dy anijeve”, ka thënë ai.

Më herët, Ministria e Jashtme e Emirateve të Bashkuara Arabe tha se 4 anije tregtare janë shënjestruar nga “operacionet sabotuese”, afër ujërave të tyre territorialë, pa shkaktuar dëme në njerëz.

Pas raportimit për këto sulme, Shtetet e Bashkuara kanë bërë një paralajmërim të ri për këto akte, që kanë shënjestuar anijet në gjirin bregdetar të Emirateve të Bashkuara. Ky paralajmërim vjen në kohën e rritjes së tensioneve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

Javën e kaluar, Uashingtoni ka njoftuar për pozicionimin e disa pajisjeve ushtarake në këtë rajon, në mënyrë që të luftohen ato që zyrtarët amerikanë i kanë cilësuar si “shenja të qarta” të kërcënimit nga Irani, kundër interesave të Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre në këtë rajon.

Top Channel