SHBA ka dyfishuar tarifat mbi produkte kineze me vlerë 200 miliardë dollarë. Tarifat në fakt janë më shumë se dyfishuar, duke u rritur nga 10 për qind në 25 për qind dhe Pekini ka premtuar se do të hakmerret. Lëvizja vjen ndërsa zyrtarë të nivelit të lartë nga të dyja palët po përpiqen të arrijnë një marrëveshje tregtare në Uashington. 

Kohët e fundit, SHBA dhe Kina u duk se po afroheshin me njëra-tjetrën pas muajsh armiqësi. Sidoqoftë, pas lëvizjes së fundit, Kina tha se do të marrë masat e nevojshme. Në të shkuarën, Pekini është përgjigjur menjëherë me tarifa reciproke. Lufta tregtare mes SHBA-së dhe Kinës ka rënduar ekonominë globale dhe ka krijuar pasiguri për bizneset dhe konsumatorët.

Situata mund të rëndohet akoma më shumë pasi Trump ka paralajmëruar se ai mund të vendosë taksa prej 25 për qindësh mbi mallra kineze me vlerë 325 miliardë dollarë. Bisedimet e tregtisë mes zëvendëskryeministrit kinez, Liu He dhe përfaqësuesit amerikan për tregtinë, Robert Lighthizer dhe sekretarit të thesarit, Steven Mnuchin vazhduan sidoqoftë të enjten.

Trump kish thënë më herët se kishte marrë një letër të bukur nga homologu kinez, Xi Jin Ping, dhe se sipas gjasave ata do të bisedonin edhe në telefon. Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha se zyrtarët amerikanë kishin rënë dakord me zv/kryeministrin kinez për t’i rinisur bisedimet mëngjesin e të premtes.

 

Top Channel