Shanset që Britania e Madhe të qëndrojë në BE janë 30 për qind, ndërkohë që vendi do të refuzonte Brexitin nëse do të mbahej një referendum i dytë. E ky është opinioni i presidentit të Këshillit Europian, Donald Tusk.

Zyrtari më i lartë i bllokut tha se publiku britanik ka debatuar realisht për Brexitin vetëm pas referendumit të 2016 dhe se ka tani arsye të mjaftueshme për të besuar se vota për largim nga blloku, mund të përmbyset.

Duke e cilësuar vendimin e ish-kryeministrit britanik, David Kameron, për thirrjen e referendumit, një keqllogaritje politike, Tusk tha se ai do të priste një rezultat të ndryshëm nëse votimi do të mbahej sot.

Tusk, mandati i të cilit si president i Këshillit Europian përfundon në nëntor, tha se ai ishte emocionuar nga marshimi kundër Brexitit në Londër, më herët këtë vit, që sipas tij ishte një zë i fuqishëm që i kërkonte Britanisë të rimendohej.

Ndërsa sugjeroi se ka një krizë në lidership, mes atyre që mbështesin qëndrimin, Tusk tha se ai ende besonte se ishte e mundur që pyetja t’iu bëhej sërish britanikëve. Në prill, Britania e Madhe përfitoi kohë deri më 31 tetor për të siguruar ratifikimin në parlament të marrëveshjes së largimit.

Por, gjasat ende mbeten të pakta për ta arritur këtë, dhe fati i Brexitit, nuk dihet se si do të shkojë. Por Tusk thotë se nuk duhet nxituar. “Nuk ka vend për të nxituar në Crexit”, thotë ai” Çërçilli gjithnjë thoshte që një problem i shtyrë në kohë është pjesërisht i zgjidhur”.

Top Channel