Një plazh tajlandez i bërë i famshëm nga filmi “The Beach”, do të mbetet i mbyllur deri në 2021.

Maya Bay, në ishullin e Phi Phi Leh u mbyll përkohësisht vitin e kaluar pas një rritjeje të madhe të numrit të vizitorëve që kishin dëmtuar rëndë ambientin.

Para mbylljes, rreth 5 mijë turistë e vizitonin gjirin çdo ditë, duke bërë që pjesa më e madhe e koraleve atje të vdisnin. Autoritetet tani kanë shtyrë mbylljen e tij edhe me dy vjet për t’i dhënë më shumë kohë ekologjisë së Maya Bay që të rimarrë veten.

Plazhi u bë i famshëm pasi u shfaq në një film të vitit 2000 me Leonardo di Caprion. Që kur plazhi u mbyll, vitin e shkuar, peshkaqenët e zonës janë parë të kthehen në ujërat e gjirit.

Zyrtarët tajlandezë kishin thënë se kur parku të rihapej, numri i vizitorëve do të ishte i kufizuar dhe varkat do të ndaloheshin të hynin në ujërat e gjirit.

Operatorët lokalë turistikë, në anën tjetër thonë se ata varen tek ky plazh dhe mbyllja e tij po i penalizon ata, por edhe popullatën lokale.

Top Channel