Në zemrën e vendit vullkanik, Islandës, alkimistët e shekullit të 21 po transformojnë dioksidin e karbonit në shkëmb, duke pastruar ajrin nga emetimet e dëmshme që shkaktojnë ngrohjen globale.

Teknologjia, imiton, në një format të përshpejtuar, një proces natyror që mund të kërkojë mijëra vite, përmes injektimit të dioksidit të karbonit në shkëmbinj poroz ku ai mineralizohet duke u ngurtësuar përgjithmonë.

“Me këtë metodë ne kemi ndryshuar në mënyrë dramatike ritmet e kohës”, tha Sandra Osk Snaebjornsdottir.

Dioksidi i karbonit është një gaz që shkakton efektin serë që çlirohet në sasi të mëdha nga sektori i transportit në Islandë, industritë dhe vullkanet.

Në Islandë, vendin e gejzerave, akullnajave dhe vullkaneve, të paktën gjysma e energjisë prodhohet nga burime gjeotermale. E kjo është një pasuri për kërkuesit që e kanë shndërruar tashmë impiantin gjeotermal të Hellisheidit, një prej më të mëdhenjve në botë, në laboratorin e tyre.

Dioksidi i karbonit kapet, lëngëzohet duke u kondensuar dhe më pas shkrihet në sasi të mëdha uji.

Ky i fundit transportohet disa km më tej, në një zonë ku nën presion të lartë, injektohet në shkëmbinjtë nën tokë.

Ai mbush boshllëqet në shkëmbinj dhe nis procesin e solidifikimit, një reaksion kimik që ndodh kur gazi hyn në kontakt me kalciumin, magnezin dhe hekurin në shkëmbinjtë vullkanikë.

Top Channel