Disa nga tenderët kryesorë, siç është Unaza e Re dhe aksi Thumanë-Kashar-Rrogozhinë, janë anuluar nga ministrja Belinda Balluku dhe janë futur në proces ritenderimi.

I ftuar në studion e Top Talk ishte ish-ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri, i cili u pyet se përse disa nga projektet janë anuluar dhe çfarë përgjigje ka në lidhje me sulmin e opozitës, që e akuzon për korrupsion.

Zoti Gjiknuri mohoi që të jetë përfshirë në afera korruptive dhe se nuk është thirrur nga Prokuroria.

“Nuk jam këtu për këtë pjesë. Ministria nuk bën tender rrugësh. Pra ministri nuk ka lidhje me procedurat e rrugëve. Nuk jam as i akuzuar dhe as i thirrur nga Prokuroria. Janë bërë sensacione mediatike. Opozita atë detyrë ka, që të bëjë pis qeverinë, individë që kanë peshë elektorale.

Tenderi i Unazës së Re nuk është rrëzuar, por vetëm një lot i tij. Dy lotet e tjera janë në fuqi dhe është duke u zbatuar kontrata. Unë nuk jam më ministër dhe nuk e kam ndjekur. Zërat e projekteve janë aty. Le ti marrin dhe t’i nxjerrin. Në lidhje me rrugën Thumanë-Kashar-Rrogozhinë, ka rënë vetëm pjesa e mbikalimit. Pjesa e mbikalimit kushton më shtrenjtë, sepse është me 3 nivele. Në lidhje me këtë po heton Prokuroria dhe nuk dua të flas, por nuk ka asgjë të fryrë”, përfundoi ish-ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë.

Top Channel