“Gulagu” mistrec që shënjestronte Kremlinin zbulon identitetin në një histori rrëqethëse

03/05/2019 10:17

Autori anonim i një kanali tejet popullor social rus, që satirizonte Kremlinin dhe zyrtarët e tij ka zbuluar më në fund identitetin e tij pas vitesh të tëra spekulimesh.

Alexander Gorbunov, i mbiquajtur “StalinGulag”, ka arritur të sigurojë deri në 300 mijë ndjekës në kanalin e tij në aplikacionin “Telegram”. Në “Twitter” ndërkohë ka më shumë se një milion ndjekës, ku me postimet e tij të mprehta dhe të ashpra shpesh godet gjendjen reale të shumë aspekteve në Rusi.

Por, pas shumë vitesh anonimitet, ai tashmë ka vendosur të flasë hapur, në mënyrë që të parandalojë raprezaljet ndaj familjes së tij, siç është shprehur për filialin rus të “BBC”-së. Kjo, për shkak se policia vizitoi apartmentin e nënës së tij të moshuar gjatë kësaj jave.

Por kush është “StalinGulag”-u? Në vitin 2017, udhëheqësi i opozitës ruse, Alexei Navalny, njëherazi kritik i ashpër i presidentit Vladimir Putin, e quajti atë “analistin politik më të rëndësishëm në Rusi”.

Në postimet e fundit të “StalinGulag”-ut janë përfshirë çështje të ndryshme, që nga vizita e fundit e Kim Jong-unit në Rusi, planet e qeverisë ruse për të prezantuar teknologjinë 5G, zgjedhjet presidenciale ukrainase dhe propozimin rus për të ndaluar proshutat spanjolle apo importet e djathit “Parmigiano”.

Alexander Gorbunov thekson shpesh absurditetet dhe padrejtësitë e jetës së përditshme. Muajin e kaluar, ai shkroi në lidhje me një familje në qytetin siberian të Novosibirskut, fëmija i adoptuar i të cilëve kishte rezultuar pozitiv me HIV dhe ishte dëbuar nga shkolla; sikurse edhe për një pacient të moshuar e të sëmurë në Irkutsk, i cili raportohet të ketë vrarë veten në spital, pasi priti për orë të tëra për një analizë të thjeshtë gjaku.

“Është e pamundur të qëndrosh i heshtur, kur gjëra kaq të çmendura ndodhin në Rusi”, tha ai për “BBC”-në. Por, personi që fshihet pas pseudonimit “StalinGulag” ka një histori shumë të rëndësishme, që daton kohë më parë sesa ai të bëhej kritiku më i madh dhe më i ashpër i Kremlinit përmes rrjeteve sociale.

I lindur në Makhachkala, në Kaukazin Verior në vitin 1992, ai është diagnostikuar me atrofi muskulore kurrizore, një gjendje e pakurueshme e muskujve, që e ka detyruar atë të ulet në një karrige me rrota përgjatë pjesës më të madhe të jetës së tij. Gurbunov nisi biznesin e tij të parë që në moshën 13-vjeçare, teksa shiste suplemente dietash “online”. E pas këtyre fillimeve të përulura, ai u kthye shumë shpejt në një tregtar të suksesshëm bursash financiare, duke u specializuar në derivatet dhe monedhat e kriptuara.

Ai jeton tashmë në Moskë së bashku me të shoqen, duke shijuar atë që e përshkruan si një jetë të mirë me dalje të vazhdueshme në restorante dhe teatro. Por, ai është i prirur të theksojë se, dikush me aftësi të kufizuara duhet të jetë në gjendje të sigurojë parà, në mënyrë që të paguajë për të gjithë mbështetjen që i nevojitet për të pasur një jetë normale.

Top Channel