Gent Ibrahimi në Top Talk: KLP do t’i shpallë kandidaturat për Kryeprokuror pa pritur Vettingun

03/05/2019 15:59

Sikurse është bërë e ditur tashmë dje u mbyll afati i aplikimit për kandidatët që do të garojnë për postin e Prokurorit të Përgjithshëm të Republikës.

Edhe pse kishte një afat 60 ditor, u paraqitën vetëm 4 kandidatura përkatësisht Prokurorja në detyrë Arta Marku, prokurori Olsion Çela, Prokurorja Fatjona Memçaj dhe avokati Lulzim Alushaj. Për të diskutuar mbi këtë proces sot i ftuar në Top Talk ka qenë kryetari i KLP-së z Gent Ibrahimi.

Zoti Ibrahimi tha se ndonëse bëhet fjalë për një numër të vogël kandidaturash, është i mjaftueshëm ligjërisht për të zgjedhur Prokurorin e Përgjithshëm.

“4 kandidatët është një numër i mjaftueshëm ligjërisht, në kuptim që i mundëson Këshillin e Lartë të Prokurorisë që të vijojë me verifikimin e kushteve të tyre dhe me renditjen e kandidatëve sipas meritës, por sidoqoftë është një numër i vogël, duke pasur parasysh që Këshilli ka për detyrë që në fund të rendisë tre prej tyre dhe t’ia përcjellë Kuvendit për aktin final të emërimit të tyre”, tha Ibrahimi.

Në Kuvend duhet të shkojnë 3 kandidatura dhe të marrin 84 vota që njëri prej tyre të bëhet Prokuror i Përgjithshëm. Nëse dy nga kandidaturat s’kualifikohen, kjo e vë në pikëpyetje procesin dhe kryetari i KLP-së tha se ky është një skenar i mundshëm.

“Është një skenar i mundshëm. Një nga detyrat e Këshillit është që të verifikojë plotësimin e kushteve ligjore për kandidatët e mundshëm për Prokuror të Përgjithshëm. Në rastin e kandidati Çela, kushti ligjor i parë është që të kalojë procesin e vettingut. Këtu ka një pikëpyetje. Interpretimi i parë që Këshilli i dha këtij momenti, nëse një kandidat i magjistraturës, duhet apo jo që ta ketë kaluar vettingun, është e diskutueshme kjo çështje. Këshilli vendosi që po, kandidati që vjen nga radhët e magjistraturës, duhet ta ketë kaluar procesin e vettingut. Sa i takon kandidatëve jo magjistratë, procesi i vettingut nuk e kryen Këshilli i Lartë i Prokurorisë, proces që konsiston në dërgimin e dhjetëra shkresa në adresë të Inspektoratit të Deklarimit të Pasurive, Tatimeve, Doganave, të Shërbimeve inteligjente. Ky është një atribut që na e jep ligji, që e ka zgjeruar konceptin e vettingut”, u shpreh Ibrahimi.

Top Channel