Janë murgj rishtarë, por janë edhe fëmijë, dhe nuk mund të silleshin përveçse si të tillë gjatë vizitës në një park lojërash në Yongin, të Koresë së Jugut.

Djemtë e moshës nga 5 deri në 6 vjeç i janë bashkuar një programi të quajtur “si të kthehesh në murg budist”, i cili nisi në 22 prill me një ceremoni që përfshinte dhe qethjen e kokës. Por vizita në park i shkëputi pak nga mësimet, duke i krijuar vogëlushëve mundësinë të shijonin lodrat e parkut e të mahniteshin nga breshkat e tij gjigante, apo papagajtë.

Fëmijët do ta provojnë të plotë jetën e murgut në tre javët që paraprijnë ditëlindjen e Budës në 12 maj, një festë e kremtuar në pjesën dërrmuese të Azisë Lindore. Ai që njihej si princi Sidarta Gautama u kthye më vonë në Gautama Buddha, e në themeluesin e Budizmit, besimi i katërt më i madh sot në botë me mbi 520 milion ndjekës.

Rreth 23% e popullsisë së Koresë se Jugut identifikohen si budistë; 29% janë të krishterë ndërsa 46% nuk kanë përkatësi fetare.

Top Channel