Demokratët hetojnë financat e tij, Trump padit “Deutsche Bank” dhe “Capital One”

30/04/2019 14:09

Presidenti amerikan Donald Trump ka hedhur në gjyq dy banka të mëdha, në përpjekje për t’i ndaluar ato që të dorëzojnë të dhënat e tij financiare në Kongres.

Padia kundër “Deutsche Bank” dhe “Capital One” u depozitua pasi komisione të Kongresit, të drejtuara nga demokratët, kërkuan informacione mbi financat e shefit të Shtëpisë së Bardhë.

Ajo mban emrat e 3 fëmijëve më të mëdhenj të presidentit, së bashku me atë të Organizatës “Trump”, dhe argumenton se nuk ka baza ligjore për hetimin e çështjeve të tij të biznesit.

Demokratët, megjithatë, e bënë të qartë se nuk do të zmbrapsen nga përpjekja, për të cilën thonë se bëhet për të bllokuar punën e tyre.

Një zëdhënëse e “Deutsche Bank” pohoi për “New York Times” se mbeten të angazhuar t’iu sigurojnë informacionin e duhur të gjitha hetimeve të autorizuara.

Nga “Capital One” nuk ka ende asnjë reagim. Të dyja këto banka janë të përfshira me projekte të Trumpit për pasuri të patundshme. Kërkesa e demokratëve bëhet në kuadër të një hetimi të lidhur me “akuzat për ndikim të mundshëm të jashtëm mbi procesin politik amerikan”.

Top Channel