Më vonë gjatë vitit, në Muzeun e Luvrit në Paris do të çelet një ekspozitë me kryeveprat e mjeshtrit të madh italian, Leonardo da Vinci, për të shënuar 500-vjetorin e vdekjes së tij në Francë.

Por, “Salvator Mundi”, vepra që këto muajt e fundit ka pushtuar në mënyrë intensive vëmendjen e medies dhe specialistëve, mund të mos varet në mur së bashku me të tjerat.

Piktura e famshme u shit në ankand nga “Christie’s” në vitin 2017, për shumën rekord të 450 milionë dollarëve, por që prej atëherë nuk është parë më në publik, duke ngritur dyshime mbi pronësinë e saj, vendndodhjen dhe autenticitetin.

Portreti i Jezusit duhet të ekspozohej në Luvrin e Abu Dhabit shtatorin e vitit të kaluar, por në momentet e fundit, nxjerrja e pikturës u shty nga muzeu pa asnjë shpjegim. Ky muze e ka mbajtur të fshehtë edhe identitetin e blerësit, duke theksuar vetëm se “Salvator Mundi”-n e ka blerë Departamenti vendas i Kulturës dhe Turizmit.

Misteri u thellua edhe më shumë përpara një vizite të presidentit italian, Sergio Mattarella, i cili do t’i bashkohet shefit të Elizesë, Emmanuel Macron, në një udhëtim në luginën “Loire” për të shënuar përvjetorin e vdekjes së Da Vincit atje në vitin 1519, në moshën 67-vjeçare.

Luvri në Paris i kërkoi Departamentit të Kulturës dhe Turizmit në Abu Dhabi që t’i huazonte me këtë rast pikturën e famshme, por nuk ka marrë ende asnjë përgjigje.

Top Channel