Mira Meksi – Kësaj herë është shkrimtarja e shumënjohur E.L. James, autorja e “ 50 hije të Gray-it” ajo që ka rënë kokë e këmbë në grackën e përhershme që ngre përballja e dy realiteve, atij “real” dhe atij “joreal” apo të letërsisë te shumëkush dhe që prodhon moskuptime apo keqkuptime të mëdha.
Libri i saj i fundit, “The Mister” është shigjetuar nga bota shqiptare. Dhe kjo jo për vlerat letrare të romanit, apo për filozofinë e tij, apo për karakterizimin e marrëdhënieve burrë-grua, shpesh të kritikuara në romanet e saj paraardhëse. Por për faktin se një personazh i romanit të saj është shqiptare dhe se realiteti shqiptar në roman qenka deformuar, se ky roman krijoka një imazh të keq të shqiptarëve në botë, e të tjera si këto… Dhe këto kritika bëhen serioze dhe marrin një tjetër dimension kur përfaqësuesi i shtetit shqiptar, ambasadori shqiptar në Mbretërinë e Bashkuar është shprehur për gazetën britanike “The Sunday Telegraph” se libri i E.L.James është plotësisht jorealist sa i përket përshkrimit të Shqipërisë dhe të shqiptares Alessia. Mbetet vetëm që Shqipëria t’i drejtojë një notë të fuqishme proteste Mbretërisë së Bashkuar, ku t’i kërkojë kryqëzimin e autores J.L. James pse ka mëkatuar letrarisht, a më mirë të këmbëngulë për djegjen në një turrë drush të romanit dhe autores bashkë…
Ndërkohë që vetë autorja J.L. James pohon se ka qenë disa herë në Shqipëri për ta njohur si vend, se ka blerë libra për kanunin dhe ka lexuar për kodin tonë zakonor. Nëse do ta merrte në sy t’i përgjigjej ambasadorit shqiptar, me siguri do t’i thoshte se Shqipëria në roman është Shqipëria e saj, Shqipëria e perceptimit të saj, Shqipëria e letërsisë së saj, se nuk ka bërë raporte për BE-në, as traktate historike apo punime statistikore, as fjalime të shterpëta politikanësh apo burokratësh mendjeshkurtër shtetërorë, por Letërsi. Se edhe sikur trafikimi njerëzor të mos ishte aspak fenomen shqiptar, edhe sikur asnjë vajzë shqiptare të mos martohej kurrë nga prindërit kundër vullnetit të saj, edhe sikur të mos ekzistonte prostituimi i femrës shqiptare në botë nga vetë bashkëshorti, i dashuri apo edhe nga ati i saj, ajo, shkrimtarja brenda trillit të shkrimësisë së saj mund të krijojë botën që dëshëron në realitetin letrar.
Sërish letërsia në bankën e akuzës. Edhe në shkrime të tjera i jemi qasur shpjegimit të realitetit krijues, dy botëve paralele, botës së letërsisë dhe botës reale, rivalitetit të tyre dhe gjer përplasjeve dhe ndeshjeve të egra, herë-herë me pasoja serioze për fatin e krijuesit, siç ka qenë fati i syrgjynimit të Saramago-s, apo i dënimit me vdekje të Salman Rushdie-s, vetëm e vetëm se në realitetin e tij krijues ( 1988 në Vargjet Satanike), — kaq larg realitetit “real”, — një profet i quajtur “ Mahund” përzieu “vargje satanike me hyjnoren”… Dhe bota reale shpërtheu një përndjekje të gjaktë ndaj autorit, keqkuptimi i lexuesit ( apo një pjese të lexuesve) ishte vdekjeprurës: Mahund-i i librit na qenkej Muhameti, dhe libri së bashku me shkrimtarit na qenkeshin kundër fesë islame, — autodafe-të u ngritën kudo,dhe më 14 shkurt 1989, Khomeini, udhëheqësi i revolucionit iranian lëshoi një fatwa, me anë të së cilës kërkohej ekzekutimi i Rushdie-s dhe botuesve të tij.
E pra, në të vërtet letërsia, realiteti letrar, është një botë e pavarur nga realiteti objektiv, por që aludon për të; është një botë që ndodhet në imagjinatën e shkrimtarit dhe që përmban elemente të realitetit të vet, qofshin tendencat, momenti historik në të cilin shkruan, apo kultura që ka, mes të tjerë faktorëve përcaktues. Në mënyrë që lexuesit të kuptojnë se çfarë është ajo ç’ka rreket të reflektojë shkrimtari, lipset që ky i fundit të transmetojë qoka apo referenca të njohura për lexuesin dhe që e afrojnë atë me letërsinë. Kjo nuk do të të thotë aspak se realiteti i letërsisë është i zbatueshëm në realitetin “real” dhe konkret; realiteti i letërsisë është një lloj mundësie që parashtron shkrimtari, andaj dhe letërsia ka karakter trilli, pasi është diçka potenciale, le të themi, që edhe mund të bëjë vaki, por që jo domosdoshmërisht ndodh. Dhe është vetë lexuesi ai që i jep jetë realitetit të letërsisë, pasi kur ai ndodhet brenda leximit, brenda rrëfimit, botët trillane të letërsisë konkretizohen në imagjinatën e tij. Dhe këtu s’ka vend që lexuesi të ngatërrojë, moskuptojë apo, ca më keq, të kqkuptojë realitetin e letërsisë. Porse keqkuptimet vazhdojnë: një nga romanet e Kadaresë, botuar më 2008, Darka e Gabuar ngjalli jo pak polemika të këtij lloji; në një nga të përditshmet e Tiranës shkruhej: “Llazi Duka, nipi i mjekut të njohur gjirokastrit, Vasil Laboviti, mohon që gjyshi i tij të ketë organizuar një darkë për komandantin gjerman, por shton se me ndërhyrjen e tij ai shpëtoi nga pushkatimi 80 qytetarë të pafajshëm: “ Kadareja e ka modifikuar në mënyrë virtuale realitetin”, thotë ai. Letërsia u vu në bankën e akuzës për të vërtetat dhe të pavërteta e kësaj bote!!!! Ndërsa, shkrimtari, Kadareja, i zënë në kurthin e realiteteve, atij të fëmijërisë së tij, realitetit të kujtimeve, realitetit “real” dhe realitetit të letërsisë, shtoji këtyre edhe klimën e keqkuptimit, shtrëngohet të shpjegojë: . “‘Darka e gabuar” ka të bëjë me një ngjarje reale, disi të çuditshme, të cilën një pjesë e mirë e gjirokastritëve duhet ta mbajnë mend. Bëhet fjalë për një ngjarje në vjeshtën e vitit 1943, kur Gjirokastra u pushtua nga gjermanët dhe të gjithë prisnin me ankth hakmarrjen për një sulm që u ishte bërë në xhade. Por çuditërish gjermanët, komandanti i tyre atë natë u prit nga kirurgu më i njohur i gjithë Jugut dhe një ndër më të njohurit në vend, Vasil Laboviti, shtëpia e të cilit ndodhej pranë simes dhe unë në atë kohë kam qenë 7 vjeç. Një darkë kjo, e cila u hetua dhe u gjykua për një kohë të gjatë në forma të ndryshme, por mençuria gjirokastrite nuk e gjykoi asnjëherë doktor Labovitin. Në fakt, në atë darkë ai u shpëtoi jetën 80 robërve. Këtë darkë, njëkohësisht të habitshme dhe mikpritëse, unë e kam shfrytëzuar për pjesën e parë, ndërsa në pjesën e dytë zënë vend edhe imagjinata, dhe mendimet e mia”.
Ca më i çuditshëm dhe argëtues është keqkuptimi apo moskuptimi i realitetit të letërsisë në romanin tim “ E kuqja e Demave”. Ndodhi që, rreth një muaj e gjysmë pas botimit të romanit, — i cili, ndonëse i shkruar në vetë të parë është një fiksion( trillim) i pastër, dhe për ata që nuk e kanë lexuar, trajton, veç të tjerash, enigmën dhe misterin pothuaj tragjik të së “kuqes së Onufrit” e cila në fund zbulohet të jetë me përbërje gjaku njerëzor, — në Milosao u botua një shkrim i z. Stanati, që zbulonte më në fund “prej vërteti” enigmën e të “kuqes së Onufrit”: … është përdorur termi “e kuqja e Onufrit” për të dalluar të kuqen e tij të ndezur, e të ndritëshme, e famshme për një tonalitet brilant. A ishte teknologjik sekreti i bukurisë impresionuese? Sa do të çuditeni po të mësoni se e gjitha kjo ishte një truk, një ndjesi e ngjyrave, të koordinuara njëra me tjetrën, e që ipnin forcën e së kuqes! Analizat e shumta, të bëra me aparatura nga më të sofistikuarat, treguan se e kuqja e Onufrit është nga pikpamja kimike sulfuri i zhivës, i përdorur nga të gjithë piktorët evropianë të asaj kohe. Asgjë e veçantë, pak e bardhë plumbi, në një pështjellim disi të bardhë piktoresk, që ndez të kuqen. Ja pra se çfarë është e kuqja e Onufrit. Kujdes ju piktorët e restaurimit, se është helm! Vetë pigmenti nuk do të pësonte gjë, por lidhësi, pra lënda që mban të bashkuar në tërësi pigmentin, është prej të bardhës së vezës, pra proteinike, që shkatarrohet nga përdorimi i disa pastruesve bazikë, të cilët duhen shmangur. Ja pra se si analizat, jo vetëm që ndriçuan një mister, por na treguan se si duhet të punojmë…
Një të diel dhjetori, telefonat e mi nuk pushuan së rëni: Arkometria, shkenca e saktë dhe e rreptë kishte “hedhur në erë” romanin tim. Nuk kishte më të fshehtë, nuk kishte më enigmë, nuk kishte më mision deshifrues enigmash, murgjit e bardhë të Manastirit të Veruela-s, Luftëtarët kundër harresës së ikonës, brenda romanit tim, qenë lodhur më kot për të zbuluar të fshehtën e shkëlqyer të “së kuqes së Onufrit”…Dhe jo vetëm kaq, por ia kishin futur kot! Nuk kishte më trillim, nuk kishte më letërsi, realiteti i sertë imponohej gati dhunshëm. Dikush arriti gjer aty sa të më thoshte i mallëngjyer: “ Po si dreqin vajti dhe u zbulua tani kjo enigmë? Të shkoi mundi dëm!” Dhe sërish shkrimtari në kurthin e realiteteve: mbeta kohë të tëra duke menduar për sulfurin e mallkuar të zhivës, si për një “tradhti” që realiteti “real” i pat bërë realitetit tim të brendakrijimit, dhe duke u përpjekur t’u jepja “llogari” lexuesve-miq.
Bota reale dhe bota e artit janë botë rivale dhe në konflikt të vazhdueshëm me njëra-tjetrën, porse, që ky konfikt të mos shpjerë në përleshje të rënda dhe me pasoja të paparashikuara, është e rëndësishme të kuptohet se letërsia mbart gjithnjë një përmasë të mirëfilltë kozmologjike. Pavarësisht se elementët kozmologjikë mund të përftohen apo të huazohen nga bota e përditshme, bota që del në dritë nga krijimi letrar është krejt tjetër nga ajo e përditshmja. Ligjësitë nga të cilat udhëhiqet si njera, ashtu edhe tjetra, janë të ndryshme, dhe i përkasin dy sistemeve krejt të ndryshme. Prej këtu, nëse në botën reale ka ekzistuar një Budë apo një Krisht, apo një Hitler, apo ekziston një Shqipëri dhe një shqiptare me emrin Alessia, kush na siguron se nuk mund të gjejmë syresh edhe në këtë botën e krijimit letrar? Nëse ekzistojnë edhe në këtë botë, kjo nuk duhet të na shtyjë që t’i shohim Budën, Krishtin, Hitlerin, Shqipërinë dhe shqiptaren Alessia të saj, të njëjtë dhe të interpretueshëm sipas po atyre ligjësive të botës së përditshme, botës reale. Në kahje të kundërt, me të njëjtën logjikë, duhet të interpretonim kësisoj edhe Bagdadin e qilimit fluturues, apo të kalit fluturues me parametrat dhe ligjësitë interpretative të realitetit tonë të përditshëm, të botës reale, më konkretisht, të Bagdadit të sotëm, atij që e perceptojmë me shqisat tona…
Top Channel