“Erdha në Rusi me ndjesinë e ngrohtësisë së të gjithë njerëzve tanë. Shpresoj që kjo vizitë të jetë e suksesshme dhe e vlefshme, e që gjatë negociatave me presidentin e nderuar Putin, të jem në gjendje të diskutoj çështje që lidhen me zgjidhjen e situatës në gadishullin Korean dhe me zhvillimin e marrëdhënieve tona dypalëshe”.
Kjo ishte deklarata që bëri udhëheqësi koreano-verior, Kim Jong-un pas mbërritjes në Rusi, ku të enjtet do të takohet me shefin e Kremlinit. Kim mbërriti me trenin e tij të blinduar në qytetin e Vladivostokut, ku iu rezervua një pritje e ngrohtë zyrtare, e ku – siç e do tradita, – i ofruan lule, bukë dhe kripë.
Moska pohoi se bisedimet do të përfshijnë dhe çështjet bërthamore, ndërsa vet udhëheqësi i shtetit komunist thuhet të jetë vënë në kërkim të mbështetjes, pas dështimit të bisedimeve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Kim dhe Donald Trump u takuan në kryeqytetin e Vietnamit, Hanoi, më herët gjatë vitit, për të diskutuar programin nuklear të Koresë së Veriut, por samiti i dytë mes tyre përfundoi pa marrëveshje.
Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit u shpreh në lidhje me këtë vizitë se, Shtetet e Bashkuara dhe i gjithë komuniteti ndërkombëtar janë të angazhuar ndaj të njëjtit qëllim, e ai është denuklearizimi përfundimtar, i plotë dhe i verifikuar i Koresë së Veriut.
Top Channel