Nga Romain Gary
Është koha e “Luftës së Ftohtë” vitet 70 të shekullit të XX. Një shkencëtar gjenial francez, fizikanti Mark Matjë, zbulon një karburant të ri: Shpirtin e njeriut, në çastin kur po vdes, e fut në bateri dhe e kthen në energji. Me këtë lloj energjie mund të vihen në lëvizje makinat e të gjitha llojeve, por edhe të prodhohen armë bërthamore.
Pas zbulimit të tij epokal, protagonisti i romanit, fizikanti Matjë vihet në shënjestër të Fuqive të Mëdha; Shtetet e Bashkuara, ish Bashkimi Sovjeti, Kinës, vetë Francës; të gjithë synojnë ta bëjnë për vete, ndërsa Vatikani e quan përdhosës të shpirtit njerëzor. Për t’i shpëtuar ndjekjes dhe likujdimit, ikën nga Franca dhe kërkon azil politik në Shqipëri…
E gjithë pjesa e dytë e romanit zhvillohet në “Luginën e Shqipeve”. Fjala është për një rrëfim plot ngjarje dramatike që të lë pa frymë. Për herë të parë pas Dimrit të Madh, Enver Hoxha bëhet personazh i një vepre letrare me përmasa të mëdha. Sesi e sheh një shkrimtar francez diktatorin shqiptar, do ta shihni më së miri gjatë leximit të këtij romani sa tronditës, aq edhe zbavitës, vepër e shkrimtarit të njohur Romain Gary, dy herë fitues i Çmimit “Gonkur”.
Fantazia e shkrimtarëve bredh kudo; Ajo e Romain Gary është arratisur në Shqipërinë e kohës së komunizmit dhe veç personazhit të tij, Mark Matjë që e çon në “Luginën e Shqipeve”, një tjetër personazh është edhe Enver Hoxha. Fituesi dy herë i çmimit Gonkur në Francë na vjen me një fiction tejet zbavitëse dhe të rrallë, përmes shqipërimit goditës të studiuesit Agim Vinca.
Top Channel