Një fushë e gjerë plot me boçe të bardha lëkundet lehtë nga era. Petalet e mëndafshta ndonjëherë bien në tokë dhe ky është një tregues i dukshëm i rezistencës së tregtisë joshëse të opiumit të Afganistanit.

Pamja e një fushe pa fund opiumi është e zakontë në Afganistanin rural, por ferma e vënë në qendër të shkrimit të agjencisë “AFP” është në qendër të një qyteti të kontrolluar nga qeveria, në provincën e Helmandit.

“Ne kultivojmë boçe prej 20 vitesh. Është më pak e lodhshme, na siguron parà dhe kërkon më pak punë, në krahasim me grurin apo misrin”, tha Abdul Hadi, fermer.

Afganistani është prodhuesi më i madh në botë i opiumit dhe të mbjellat iu garantojnë punë qindra e mijëra njerëzve. Fermerët rrisin boçe opiumi pa u ndëshkuar, ndërsa zyrtarët e qeverisë dhe talebanët janë ata që përfitojnë më shpesh nga tregtia.

“Pavarësisht se ne kultivojmë opium, trafikantët janë ata që fusin në xhep të gjitha paratë, duke e konvertuar atë në heroinë”, tha Abdul Wali, fermer.

Prodhimi i opiumit afgan pësoi një goditje vitin e shkuar, si pasojë e thatësirës dhe reduktimit të zonave të kultivimit. Sidoqoftë, prodhimi mbetet në nivele të larta dhe këtë vit, fermerët po shohin një ringritje për shkak të shirave të javëve të fundit.

Top Channel