JETË E FSHEHUR

 “E kishin humbur dashurinë e tyre dhe dëshirën për të jetuar, Uhyoni hyri në një dru dhe u zotua të shndërrohej në një pemë. “Dëshirat që jetojnë ende në këtë trup dhe dashuria që ka mbetur është e padurueshme. Mund të m’i largoni këto dëshira dhe këto ndjenja”. Zotit të pyllit iu dhimbs. Trupi i tij nisi të mbështillej nga lëvozhga. Sunmi e kuptoi më vonë që i dashuri i saj nuk ishte larguar sepse ishte mërzitur prej saj, por për të mos i treguar gjymtimin e tij. Ajo dëshironte ta shihnte të shndërruar në pemë.

Lee Seung-u pret kapitujt e fundit për të shpalosur sytë e tij kundrejt dashurisë. Në një përmbledhje dinjitoze të cilën nuk nguron t’ia veshi personazhit të tij si një cilësi prej “koleksionuesi” autori sjellë në kujtesë dashuritë e panumërta në mitologjinë greke të cilat përveç tingëllimës së artit mbartin mitin e pamohueshëm të asaj çfarë njeriu ka dëshiruar, dashuruar, ëndërruar, menduar, kujtuar që në fillimet e veta, duke lindur bashkë me to dhe duke pranuar dhe mirëkuptuar ndjenjat e bukura, idenë e dlirë brënda nesh, dëshirat si një motiv për të jetuar dhe për ta parë veten bashkë me tjetrin.

Letërsia koreane vjen si një mbështjellje e gjithë kësaj duke pranuar përulësisht atë çfarë ndodhet brënda njeriut, i riu U-i Hyon është një personazh i cili i ka humbur të gjitha dhe njëkohësisht ka gjithçka, ai është gjymtuar në ushtri, ka humbur të dashurën e tij, pasionin për të fotografuar dhe për një kohë të gjatë është preja e euforisë e mendimeve sa euforike aq edhe të dlira të vëllait të tij më të vogël, i cili ka aftësinë të shohë larg dhe me shpirtin e çiltër për një të mirë të përbashkët ndonëse jo gjithnjë është e lehtë për të kapërcyer vetveten për një ideal të vërtetë. Jetë pas jete dhe ndërtuar dashuri pas dashurie Lee Seung-u vjen me gjuhën bindëse për të na dhënë forca për të qenë njerëz më të mirë, dhe mbi të gjitha për të patur dëshirën për të jetuar dhe dashuruar, fshehtas, bukur, brenda nesh, për tjetrin dhe për veten, qoftë të gjymtuar në pamundësi për të përjetuar gjithçka të bukur, me qëllimin e lartë për tjetrin dhe për veten duke pranuar modesisht se kemi nevojë për praninë e dikujt.

 

Skeda e librit

Autor: LEE SEUNG-U

Përktheu: JONADA DERVISHI

Shtëpia Botuese: OMBRA GVG

Fragment nga libri

Pak më vonë, dora e mamasë përkëdheli fytyrën e të gjymtuarit. Një gjest i butë, dhe i ëmbël. Kur duam të tregojmë se jemi të aftë të shprehim emocionet tona, a nuk e bëjmë këtë me duar? Nga ajo dorë buronte një ëmbëlsi, dhe një ndjenjë e thellë, e kapshme për cilindo që do e kundronte së largu. Ajo dorë ledhatare dhe e dashur rrëshqiste mbi flokët e burrit, tek veshët e tij, sytë, buzët. Dhe secila prej atyre ledhatimeve, ia hijeshonte fytyrën, e shndrriste si ar.

Pak fjalë mbi autoren

LEE SEUNG-U ka lindur në Jangheung, në vitin 1959. Është diplomuar në Universitetin Teologjik të Seulit dhe është njëri prej shkrimtarëve më të shquar të Koresë së Jugut. Është profesor i Letërsisë Koreane në Universitetin Chosun. Lee Seung-u e filloi karrierën letrare me romanin “A Portratit of Erysichton”, në vitin 1981, i cili u vlerësua me Neë Ëriter’s Aëard nga Korean Literature Monthly. Lee Seung-u është autor edhe u shumë prozave dhe tregimeve të shkurtra, botuar në revistat letrare. Veprat e tij janë përkthyer në shumë gjuhë të botës.

VILJEVO

Viljevo është një roman për kujtesën, traumën dhe ndërkomunikimin: një triptik me tri zëra, që lidh fort historiografinë, romanin modern dhe prozën e përpunuar me kujdes, në të cilën janë shtuar tekste jashtëletrare e teknike. Pjesa hyrëse e fton lexuesin të ndjekë arratinë e dy motrave në një të shkuar të çuditshme, në fshatin slloven me emrin Viljevo. Kohën dhe hapësirën e saktë nuk di ta thotë kurrkush, ashtu sikurse vite më vonë asnjeri nuk do të dijë të shpjegojë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë. Në pjesën e dytë, të titulluar “Në pasmesnatë”, tregohet vijimësia e fatit të personazheve të pjesës së parë, shkruar në trajtën e një transkripti të copëzuar bisedash, plot me korrigjime, ku mes germave të ftohta ngrihen dyshimet e mëdha të boshtit të veprës. Ngjarjet e pjesës së tretë, që vendosen në Osijekun e vitit 1943, ndjekin zhurmat e një radiostacioni ilegal antifashist. Forca e shtypjes është në përpjesëtim të drejtë me forcën e rezistencës e me dëshirën për liri, në Kroaci a kudo. Kjo histori përgjimesh e lufte për mbijetesë, si dhe përpjekjesh për ringritje, mund të jetë zhvilluar gjatë verës së vitit 1943, a kurdoherë. Pengesat e mistershme teknike aq sa shpjegojnë tërësinë e veprës, aq edhe hapin rrugë

të reja për interpretim.

Kritika për librin

“Në romanin Viljevo, kategoria e kohë-hapësirës thërrmohet e bluhet në mes të fjalive, sekuencave binare dhe transkripteve të bisedave, shpeshherë fragmentare e të ndërprera me ca sekonda, duke krijuar një lloj të ri të letërsisë, që do ta bëjë lexuesin aktiv e të përfshirë në vepër.”

Marijo Glavaš, mvinfo.hr

“Kjo është një histori krejtësisht e stilizuar (…). Bekavaci në këtë roman tregon zë të veçantë autorial, që kurrë nuk humbet vëmendjen e lexuesit në labirintet e historisë e të kujtesës.”

Gordan Duhachek, tportal

“Në këtë vepër me tematikë sa sllave, aq edhe botërore, lexuesit i është lënë në dorë çelësi i interpretimit, e ai duhet të gjejë të shkuarën e të zhbirojë në një kohë të pakohë.”

Jagna Pogačnik, Jutarnji list

Fragmente nga libri

 

1) … që të hidheshin drejt entuziazmit të tyre fetar… kaluam gjallë përmes

zjarrit, si nëpër një tunel, ku mbetën gjithë të tjerët e qarkut tonë, e pas gjithë këtyre, pas gjithë

atyre muajve në pyll, arritëm në parajsë, sepse Viljevoja vërtet na dukej si parajsë, ose të paktën

na mësuan se kështu duhet ta imagjinonim… dhe gjithçka shkon mirë… kemi shpëtuar…

gjithçka shkon mirë… por koha gjithnjë rrjedh…

2) Ngjarjet që po përshkruaj janë verifikuar rregullisht në Osijek gjatë verës së vitit 1943. Ata

muaj i kujtoj si kohë e vdekur: frontet e luftës nëpër botë ishin në aktivitet të plotë, ashtu si edhe

në brendësi të Kroacisë, asokohe në aleancë me fuqitë e Boshtit. Por në Osijek, kryeqyteti i

Velika župa Baranija (Zhupanës së Madhe të Baranjës) dhe në selinë e Kammerhofer-it, kishte

rënë heshtja.

Autori

Luka Bekavac, lindur në Osijek, Kroaci, në vitin 1976, është shkrimtar, përkthyes dhe

teoricien letërsie. Ai jep mësim në Fakultetin e Shkencave Sociale në Zagreb dhe shkruan

vazhdimisht artikuj për filozofinë, letërsinë e krahasuar dhe muzikën në gazeta e revista

kulturore me emër. Romanet e tij, Drenje (2011) dhe Viljevo (2013), janë kandiduar për

një sërë çmimesh kombëtare. Në vitin 2015, romani Viljevo u nderua me Çmimin

Europian të Letërsisë për Kroacinë.

Skeda e librit

Autor: LUKA BEKAVAC

Përktheu: BEN ANDONI

Gjinia: Roman

Shtëpia Botuese: Pegi

 

Net pa gjumë, puthje për mëngjes

 Frymëmarrja e vajzës sate që fle mbi ty, duke të përjargur bluzën e tutave. Net të kaluara duke punuar dhe net të tjera duke përgjuar vajzat. Pyetjet e vështira që të detyrojnë të kërkosh fjalët. Gërshetat e krehura keq, këpucët për t’u lidhur, gudulisjet, “lëpirjet”, puthjet ditë e natë. Janë këto momentet e normalitetit të papërsëritshëm që Matteo Bussola i përshkruan i lumtur dhe i saktë. Sepse nganjëherë, pikërisht duke parë atë që duket e mirëqenë, papritur gjejmë kuptimin e gjithçkaje.

Baba i tri vajzave të vogla, Matteo, di se si t’u përgjigjet vështrimit të tyre të kureshtar, po ai vështrim me të cilin, që kur kanë lindur, ai gjithashtu përpiqet të vëzhgojë botën. Dialogë të çuditshëm, skena shtëpiake qesharake, reflektime nën zë që pas leximit vazhdojnë të të oshtijnë në kokë. Në “zakonin e të qëndruarit në shtëpi” zbulohet një liri e papritur, në gjestet e jetës së përditshme zbulohet se si dhe sa poetike mund të jetë atësia. Ky bestseller numër #1 i letërsisë italiane, që sjell vëzhgimet e një babai për çastet e përditshme të jetës ka goditur lexuesit anembanë globit. I thjeshtë, romantik, i vërtetë dhe familjar, fjalët që do t’i shkonin këtij libri. I thjeshtë, sepse është i rrjedhshëm dhe i shpejtë për t’u lexuar, falë pjesëve të shkurtra që, si një ditar, të gëzojnë në këtë libër; romantik, siç është një baba dhe një burrë i dashur, me përjashtimin e vetëm që Bussola arrin të përkthejë në fjalë ato që burrat shpesh nuk mund t’i shprehin (ndonjëherë as t’i manifestojnë) të lidhur siç janë në stereotipin e mashkullit / maço / baba i familjes; i vërtetë, sepse janë episode të jetës, të njohura ose të dallueshme nga shumica e prindërve që kujdesen për fëmijët e tyre, i veshin ata, i krehin, i marrin në shkollë dhe shohin me ta për të njëqindtën herë një seri të Pepa Pigut, atë ku Xhorxhi merr një të ftohtë.

Fragment nga libri

Sot do më vijë mamaja për vizitë. Kur më vjen mamaja për vizitë, edhe vetëm për një kafe, në shtëpi plas paniku, alarmi kalon në Defcon 2, ose 1, varet vetëm nga sa kohë më parë lajmërohet vizita mëmësore. Dallimi, për t’u kuptuar, ka të bëjë me faktin që nëse e di tre ditë përpara, e pastroj imtësisht furrën e kuzhinës me Cif me dopio limon dhe shkëlqyes, por nëse paralajmërimi eshte bere vetëm para dymbëdhjetë orësh, i hedh direkt një bidon me acid muriatik, e gërryej duke veshur doreza gize dhe duke përdorur një fije teli të trashë nga ato të zdrukthëtarit. Pastaj kaloj te turra e petkave për të hekurosur…Do bëj një pastrim të shpejtë në banjë, do mbyll dy qente tane në gjellëtore se mami im i ka frikë, do rrekem me shumë kujdes që të hap në kopsht një shteg të pastruar nga gjethet e thara, jashtëqitjet dhe boçat e pishës, dhe jashtëqitjet që duken si boçe pishe, që ta sjell të sigurt te dera e shtëpisë.

Dhe ndërkaq përherë mami im harron diçka në makinë dhe kur kthehet gabon dhe bën një rrugëtim tjetër, atë ku ka derra të egër të strukur si vietkongë në barin e lartë. Dhe hiç, gjithmonë përsiatem rreth kësaj gjëje, sesi njerëzve, të cilëve kërkojmë t’ua fshehim atë çka jemi në të vërtetë dhe qysh jetojmë çdo ditë, janë përgjithësisht njerezit që i duam më shumë.

Komente mbi librin

“Një lexim i përsosur për të gjitha stinët, që do t’u mundësojë prindërve, veçanërisht baballarëve, të reflektojnë mbi përvojat e tyre për rritjen e fëmijëve.”

Library Journal

“Një libër ironik dhe prekës për magjinë e të qenit baba. Matteo Bussola ka aftësinë të rrëfejë jetën e përditshme në një mënyrë kaq të natyrshme, me një gjuhë kaq bindëse dhe të përzemërt, me një saktësi kaq të ëmbël, sa të na bëjë të mendojmë: po, ndonjëherë, letërsia luan kukamshefti në botën e gjërave të vogla.”

Giulio Mozzi

“Bussola ka shkruar një koleksion ngjarjesh mallëngjyese për jetën e tij kozmopolite në Veronë, me gruan dhe tri vajzat e vogla. Ajo që ka filluar si një ditar në Facebook, është shndërruar në bestseller në Itali dhe gjetkë.”

Booklist

Skeda e librit

 Autor: Matteo Bussola

Përktheu: Erion Kristo

Gjinia: Roman psikologjik

Shtëpia Botuese: Dituria

 

 

Top Channel