Birra me vezë/ Kokteji që duhet ta provoni patjetër!

07/04/2019 16:28

Të ziera, të skuqura, e përse jo edhe të hedhura në birrë? Kjo mund të mos jetë mënyra më e zakontë për të shërbyer vezët, por në një kafene të vjetër të Hanoit në Vietnam ofrohet prej vitesh një koktej i padëgjuar me vezë dhe birrë.

“Birrën me vezë, e bëja për vetë. Më pëlqente dhe mendova t’ia ofroj edhe të tjerëve, e të shoh nëse i pëlqen ndokujt. Pati sukses, dhe kështu nisa të shes. Në fillim nuk e dinin se ç`ishte, por shumë prej atyre që e provojnë u duket mjaft e shijshme, dhe po ecën mirë.”-thotë Nguyen Tri Hoa, pronar i kafenesë Giang.

Përgatitja e një birre të tillë nuk ishte në fakt një largim dramatik nga produkti me popullor i menysë së tij: kafeja vietnameze e mbuluar me të bardhë veze të rrahur dhe të ëmbël.

Kjo recetë daton që në 1946-ën dhe erdhi si alternativë e përballueshme për kapuçinot e shijuara nga pushtuesit kolonial francez, e që përgatiteshin me qumësht lope, dhe ky i fundit, ishte një përbërës luksoz për shumicën e Vietnamezeve nën sundimin e Francës.

“Të varfrit atje mund ta pinin kafen me vezë sepse kishin dhe shume pula, kështu që thjesht thyenin një vezë, i shtonin sheqer dhe kafja, e përzjerë me të, u shijonte me tepër. “-thotë ai më tej.

Hoa nuk ndaloi tek kafja dhe birra, por ofron gjithashtu pije me vezë të cilave u shtohet rum, çokollatë e madje dhe Coca Cola.

Top Channel