Donald Trump është i bindur se, me këmbënguljen e tij për një nivel më të lartë kontributesh e ka bërë NATO-n edhe më të fortë.
Presidenti amerikan u shpreh i kënaqur me shtimin e të ardhurave për mbrojtjen, pasojë, siç u kujdes ta theksonte, e trysnisë së tij ndaj vendeve të aleancës. Trump, megjithatë, këmbënguli sërish që anëtarët të shtojnë edhe më shumë nga buxhetet e tyre.
“Kemi siguruar mbi 140 miliardë dollarë shtesë dhe duket se do të kemi 100 miliardë të tjerë nga vendet anëtare deri në vitin 2020. Mund të them se është bërë një progres i jashtëzakonshëm në këtë drejtim, e pikërisht për shkak të tij, NATO-ja është sot më e fuqishme”, tha Trump.
Trump i shfrytëzoi bisedimet me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, në Shtëpinë e Bardhë, për të diskutuar ndarjen e barrës së aleatëve.
Ai e përsëriti edhe një herë se dëshiron t’i shohë vendet anëtare të paguajnë për mbrojtjen më shumë se 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke kujtuar se Shtetet e Bashkuara i kalojnë NATO-s 4.2% të GDP-së së tyre.
Takimi u mbajt një ditë para atij të ministrave të Jashtëm të NATO-s në Uashington, i cili do të jetë sipas të gjitha gjasave, një sesion i dominuar nga çështja e Rusisë. Stoltenberg e ka bërë të qartë se modelet agresive të sjelljes së Moskës janë një shqetësim për aleancën, anijet e së cilës e kanë shtuar ndjeshëm praninë e tyre në Detin e Zi që vitin e kaluar.
Top Channel