Top Talk/ Vendosja e vizave me Holandën, Spahiu: Rama, përgjegjës

29/03/2019 15:46

Ish-deputeti i LSI-së Përparim Spahiu ka folur sot për emisionin “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja në lidhje me qëndrimin e Holandës, ku një deputet ka kërkuar rivendosjen e sistemit të vizave për shqiptarët.

Ish-deputeti ia faturon këtë lajm të keq për shqiptarët, Edi Ramës, sipas të cilit ai është personi përgjegjës që e ka çuar vendin në krizë. “Arsyet e kësaj situata janë të qeverisë, pastaj të mënyrës se si sillen shqiptarët në Europë, një sjellje që e kanë pasur prej 30 vitesh”, tha Spahiu.

Gazetari Dyrnjaja e pyeti nëse ish-deputeti mos po ngatërron kostot që prodhojnë vetë individët apo grupet kriminale me ato politike. Spahiu u përgjigj se grupe kriminale ka nga në çdo vend dhe se Holanda kërkoi rivendosjen e sistemit të vizave vetëm për shqiptarët.

“Grupe kriminale ka nga çdo vend, por po të vësh re mesazhi i është adresuar direkt një vendi si Shqipëria. Është një akuzë direkte e qeverisjes për qeverinë shqiptare, kryesuar nga kryeministri Rama”, tha ish-deputeti i LSI-së.

Ndërkohë, ai tha se Holanda është një vend që kundërshton zgjerimin e BE-së dhe situata vështirësohet edhe më shumë për Shqipërinë pas publikimit të raportit të DASH-it.

“Holanda është kritike edhe në lidhje me zgjerimin e Bashkimit Europian. Kam dëgjuar deklarata të nivelit ekstrem të qasjes së saj në BE, sidomos për Shqipërinë dhe Bosnjën. Këtë radhë kemi të bëjmë direkt me qeverinë. Këtë gjë e forcon edhe raporti i Departamenti Amerikan të Shteti, i cili është mjaft kritik. Në Angli kërkova heqjen e vizave sepse vendosja e barrierave pengon turizmin, biznesin më shumë se sa parandalon krimin. Është bindja ime se është gabimi i BE që vuri vizat për shqiptarët në vitet ‘90. Dita e heqjes së vizave mes Shqipërisë dhe Anglisë është e largët, sidomos tani që kjo çështje do të trajtohet në Parlamentin holandez”, argumentoi ish-deputeti i LSI-së.

Top Channel