Përkthyer nga Virgjil Muci
Kur e vërteta dhe e drejta nuk janë më cështje të bardhësh dhe të zinjsh, shkruar nga Malorie Blackman, është romani i dyte i sagës “E bardha dhe e zeza”.
Po aq sa libri i parë, edhe ai i dytë me titullin “Në tehun e thikës”, duket se është intrigues, i shkruar me shumë inteligjencë, art dhe dashuri, shprehet në bashkëbisedimin e saj me gaztearen Monika Stafa drejtorja e botimeve ‘Dituria’ Mariana Ymeri. Por nëse në librin e parë mbizotëronte dashuria, në të dytin është urrejtja, ndjenja që i lëviz ngjarjet.
Ku ka pasur dashuri, tani ka urrejtje, thotë ajo. Dy familje janë shkatërruar nga shoqëria e ndarë dhe e dhunshme në të cilën ato jetojnë. Sefi është një vajzë Kros, me ngjyrë, në një shoqëri të sunduar nga zezakët, që i trajtojnë qerosët, të bardhët, si qytetarë të dorës së dytë. Xhudi është Qeros, vëllai i Kallumit, babai i bijës së sapolindur të Sefit.
Pikëllimi për Kallumin e ha përbrenda Xhudin, që fajëson Sefin për humbjet e tmerrshme që ka pësuar familja e tij. Dhe është i vendosur ta detyrojë Sefi Hadlejn, edhe një herë, të mbajë njërën anë dhe të shkatërrojë jetën e saj… pikërisht ashtu siç ajo e shkatërroi të tijën. Tani Xhudi jeton në teh të thikës…
Votuar si një nga librat më të dashur në Britaninë e Madhe, seria “E bardha dhe e zeza” e Malorie Blackmanit, është një vepër klasike dhe vërtet moderne për të rinjtë. Dy temat themelore të librit janë, shpjegon më tej Ymeri, janë diskriminimi i njerëzve për shkak të racës, ngjyrës dhe terrorizmi. Në vitin 2019, saga “E bardha dhe e zeza” është duke u vënë në skenë në vende të ndryshme të botës por fillimisht suksesin e parë e ka pasur në Britaninë e Madhe. Kjo sagë e suksesshme vjen në gjuhën shqipe nga përkthyesi i n johur Virgjil Muci.
Fragment nga libri: Në teh të thikës
Sefi më hedh një shikim pyetës dhe fytyra e saj është zhubrosur. Por as që më bëhet vonë për të. As që dua t’ia di për të. E kthej fytyrën mënjanë e mbytur në lot. Po ta shoh edhe një herë, do ta vras. Bash këtë minutë. Bash këtë çast.
– Si thua, do bëhet më mirë?- Sefi klith.- Do bëhet mirë vogëlushja ime?
Vazhdoj me frymëmarrjen artificiale, duke u përpjekur t’i jap frymë, duke u përpjekur ta rikthej në jetë Kallin.
Kalli Rouz, merr frymë shpirt. Bëje për mua.
Sefi, përbri meje, nxjerr një tingull të çuditshëm – një gulçimë të vrazhdë, gurgulluese. Seç ka diçka të pazakontë në të, gati- gati sikur është plasaritur. Ia ngul sytë. Sefi sheh nga e bija pikë e vrer; shprehje të atillë nuk më kanë parë sytë ndonjëherë. A thua të jetë një zemër që plas, ajo zhurmë e padëgjuar? Shpresoj që po.
– Shko dhe merr në telefon për një autoambulancë,- i them Sefit.
Por ajo nuk më dëgjon. Sheh nga Kalli pa e hapur gojën, madje pa i pulitur sytë. Ndërkohë heshturazi lotët i rrokullisen teposhtë faqeve pa reshtur. Forca Kalli. Merr frymë. Mos u dorëzo. Kallum, në qoftë se vigjilon mbi ne, në qoftë se e ke dashur ndonjëherë Sefin, në qoftë se e do tët bijë, bëj që të rikthehet në jetë. Bëj që të rikthehet në jetë. Të lutem, bëj që të rikthehet në jetë.
– Sefi, çfarë bëre kështu?
Kalli Rouz, merr frymë shpirt. Bëje për mua.
Merr frymë.
MERR FRYMË.
Merr frymë…
Dy fjalë për autoren
Malorie Blackman është cilësuar si një nga shkrimtaret më interesante e me shumë imagjinatë që shkruan për lexuesit e rinj. Ajo është një autore e mjaft skenarëve televizivë, fitues të Çmimit BAFTA. Romani “E bardha dhe e zeza”, i botuar në vitin 2001 në Britaninë e Madhe, pati një sukses të jashtëzakonshëm tek lexuesit dhe kritikët. Libri meritoi mjaft çmime të rëndësishme letrare përfshirë Children’s Book, Sheffield Children’s Book dhe Lancashire Children’s Book Award, ndërsa librat e tjerë të shkruar më pas, Knife Edge, Hacker dhe Thief, fituan Young Telegraph/Gimme 5 Award, dhe është e vetmja autore dy herë fituese e këtij çmimi. Malorie Blackman është autore e mjaft titujve të tjerë për të rinjtë, që janë në majat e klasifikimit të librave të vlerësuar nga lexuesit. Më 2008, u nderua me një OBE (Urdhri më i lartë i Perandorisë britanike) për shërbimin e saj në letërsinë për të rinjtë.
Librat e saj janë përkthyer në 15 gjuhë dhe kanë fituar çmime të shumta edhe në vende të tjera. Më 2005, Malorie u nderua me Çmimin Eleanor Farjeon si mirënjohje për kontributin e shquar në botën e librave për fëmijë.
Nga intervista e Malorie Blackman për BBC
“A mendoni se racizmi dhe toleranca janë çështje që duhet të trajtohen më shumë në librat për të rinj dhe fëmijë?”
Absolutisht po! Dhe jo vetëm në librat e fëmijëve. Mendoj se shumë racizëm dhe intolerance vjen nga padija dhe frika dhe ne mund të fillojmë ta luftojmë duke folur per kultura, raca, fe të ndryshme në kontekstin e historisë. Librat promovojnë ndjeshmërinë, empatinë për të qenë në gjendje të shohësh edhe përmes syve të të tjerëve dhe të vihesh edhe në vend të dikujt tjetër…. Librat duhet të jenë edhe pasqyra, dhe dritare.
Vlerësime të kritikës
“Libri i shumëpritur Në teh të thikës, vazhdim i romanit të njohur E Bardha dhe e Zeza, shkruar nga Malorie Blackman, është po aq emocionues dhe i shkruar në mënyrë inteligjente, siç edhe pritej. Stimulues e mallëngjyes, ky roman lipset lexuar doemos nga të rinjtë.” – Osservator
“I shkruar plot pasion… do ta përpijnë adoleshentët që duan të kuptojnë veten, emocionet e tyre, por dhe të të rriturve”. – Sunday Times
“I pamëshirshëm në ritmin dhe forcën që përcjell. . . i fuqishëm pa fund” -The Guardian
Top Channel