Nga Zamir Mati

“Flota Luftarake Detare” është emri që mbanin forcat detare të Shqipërisë në periudhën e viteve 1945-1991. U krijua më 15 gusht të 1945 dhe në vitin 1990 numëronte 145 anije të prodhimit rus e kinez.

Në nder të kësaj force të madhe dhe për ta përkujtuar atë me krenari, një prej bijve të kundëradmiralit Abdi Mati, sjell për herë të parë një libër –album me fotot historike të kësaj force.

Zamir Mati, autori i librit thotë se e boton këtë album në kujtim të babait të tij, i cili mungonte me muaj në shtëpi sepse qëndronte në bazën detare të Pashalimanit, por në fakt ky libër është një homazh nderi dhe respekti për të gjithë detarët dhe komandantët që shërbyen për 48 vite në Flotën Luftarake Detare të Shqipërisë. Libri është një histori e traditës luftarake detare të popullit shqiptar në shekuj.

Traditat luftarake detare iliro –shqiptare fillojnë që me historinë e hershme, me luftërat e fiseve të para, ilirët, sic janë liburnët në betejën e Korkyrës/ Korfuzit. Kjo është beteja e parë që shënon Straboni dhe është një nga fillimet e hershme të fillimit të historisë detare.

Tradita detare e shqiptarëve është e dëshmuar në histori nga shkrimtarë dhe historianë të kohëve të lashta por dhe të kohëve moderne. Në këtë histori, dallohen mjaft flota luftarake. Libri është një histori kronologjike më tepër se një histori opinionesh. Kundëradmirali Abdi Mati ishte një ushtarak shqiptar dhe një nga specialistët më të mirë të Flotës Luftarake Detare. Ai zotëronte një arsim të plotë e kualifikim të shumanshëm në këtë fushë, pasi kishte mbaruar shkollën e mesme ushtarake në Romë, ku më pas përfundon me rezultate shumë të mira Akademinë Mbretërore të Flotës në Livorno të Italisë. Në janar të 1945 me një urdhër të komandantit të UNC, shpjegon autori, Abdi Mati caktohet kapiten i parë i marinës shqiptare.

Mbretëria e Zogut e kishte mbyllur flotën për mungesë fondesh në vitin 1938. Gjatë luftës flotiljet italiane dhe gjermane kryenin funksionet e tyre dhe nuk ka pasur flotë. Në këtë kohë ekzistonte vetëm një togë detaresh që ishin për ndihmën dhe ruajtjen e porteve. Në këtë togë detarësh është i njohur edhe heroi marinar, nënoficeri i marinës Mujo Ulqinaku, hero i popullit që ra në 7 prill të ’39. Pikërisht kjo histori e rindërtimit të një flote të re e me flamur të ri, mua më ka tërhequr ta evidentoj, thotë Mati, si një nga eksperiencat më të mira.

Po përse ky libër –album tani? Dhe cili është qëllimi i tij? Autori Zamir Mati thotë se është respekti ndaj kësaj arme të jashtëzakonshme, si flota luftarake detare sepse ajo paraqet një thellësi në profesionet e veta. Dhe pikërisht flota luftarake detare e 15 gushtit 1945 derisa ajo uli flamurin në ’92 mbetet një eksperiencë e jashtëzakonshme.

Jam i kënaqur që librin tim, përfundon autori intervistën e tij dhënë për Vitrinën e Librit, e morën oficerët aktualë të forcave detare që shërbejnë në Mesdhe në kuadër të forcave të NATO-s për qëllimet e paqes dhe zhvillimit të vendeve europiane.

Top Channel