Jelekverdhët u manipuluan nga rusët. Lajmet e rreme u shpërndanë 105 mln herë

14/03/2019 13:39

Në mesin e grupeve të “jelekverdhëve” në internet kanë qarkulluar lajme të rreme, e ato janë parë në total mbi 105 milionë herë ndërmjet muajve nëntor dhe mars.

Verifikimet janë bërë nga OJQ-ja ndërkombëtare “Avaaz”, e cila citon disa shembuj, përfshirë publikimin e një kolazhi imazhesh të paraqitura si dëshmi të dhunës policore kundër “jelekverdhëve”, ndërkohë që një pjesë e pamjeve ishin marrë në fakt gjatë protestave në Spanjë në vitet 2011 dhe 2017.

Ky kolazh është shpërndarë mbi 136 mijë herë dhe është parë 3.5 mln herë në Facebook. Shifra të tilla, sipas kreut të “Avaaz”-it, Christoph Scott, tregojnë se në çfarë niveli është infektuar lëvizja e protestuesve francezë nga dezinformimi.

Nisur nga përfundimet e shoqatës së pavarur, e përditshmja franceze “Le Figaro” shkruan se, në mbarë Europën duhet të bien kambanat e alarmit, sidomos tani me afrimin e zgjedhjeve të muajit maj, të cilat – siç thotë gazeta, – duhet të shërbejnë si një test final rezistencë për sistemin imunitar të demokracisë së kontinentit të vjetër.

Kolazhet e rreme i përmend dhe italiania “La Stampa”. Fytyra të përgjakura e njerëz të shtrirë në tokë, shenjë e dhunës së policisë franceze kundër “jelekverdhëve” në protesta, e një video tjetër që tregon presidentin Emmanuel Macron duke kërcyer në një festë, ndërsa protestuesit paqësorë dhunohen brutalisht nga forcat e rendit.

Kërcimi i Macronit ka qenë në fakt gjatë një ngjarjeje në Armeni, që përpara se lëvizja e jelekëve të verdhë të krijohej. “La Stampa” i përshkruan këto si shembuj shqetësues të dezinformimit të propaganduar në Facebook, nga faqe dhe llogari pro “jelekëverdhëve” këto muajt e fundit.

“Avaaz” ka përdorur një skuadër verifikuese të fakteve, e cila analizoi qindra postime e video të shpërndara nga eksponentë të kësaj lëvizjeje, për të verifikuar më pas origjinën dhe vërtetësinë e informacioneve të shpërndara.

Sipas “Avaaz”-it, prania e “jelekverdhëve” në internet, jo vetëm në Facebook, por edhe në Youtube, nuk do të ishte kaq masive po të mos kishte qenë për “Russia Today”, media e financuar nga Kremlini që përcjell lajme në 6 gjuhë të ndryshme, e që u krijua në vitin 2005 me qëllimin të përmirësonte imazhin e Rusisë jashtë kufijve.

Top Channel