Elsa Ballauri, drejtore e Grupit për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut, e ftuar në “Top Talk” me gazetarin Denis Dyrnjaja, deklaroi se shqiptarët janë popull sipërfaqësor dhe që gënjejnë veten.

“Themi që gratë kanë arritur shumë, por nuk është kështu. Jemi sipërfaqësorë dhe nuk pranojmë gabimet”, u shpreh Ballauri.

Në lidhje me situatën e gruas sot, ajo theksoi: “Gruan nuk e ndaj dot nga shoqëria, ajo është vetë shoqëria. Pengesa kryesore e grave janë në njëfarë mënyre gratë, që debatet mbi to i shmangin. Shoqëria shqiptare është pasive, ka shumë probleme të grave dhe nuk ka shqetësim për të diskutuar në embrion çështjen e grave. Ne jemi sipërfaqësorë si shoqëri dhe nuk duam që të ngacmojmë thelbin. Jemi shoqëri fasadiste, pa i kushtuar rëndësi thelbit. 8 Marsi ka qenë historikisht fasadë. Si histori ka nisur nga përpjekjet e grave komuniste, kur u bë Bashkimi Sovjetik dhe ishte lëvizje për fitoren e votës. Që atëherë e morëm si festë dhe nuk mendonte njeri se çfarë ka pas saj”.

Ballauri nënvizoi se “liderat e lëvizjes së grave duhet të krijojnë një tjetër koncept në lidhje me festën”.

“Unë jam e idesë që gruaja është shumë e fortë dhe shumë e zonja, por nuk e di këtë gjë. Nuk e njeh akoma forcën e vet dhe kur e njeh, nuk ka guxim që ta tregojë”, shtoi Ballauri.

Top Channel