Mike Pence, ka planifikuar takimin e parë me liderin opozitar të Venezuelës Juan Guaido në Kolumbi të hënën.

Një ditë më parë, lideri venezuelian Nicolas Maduro ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Kolumbinë e urdhëroi trupat ushtarake të bllokonin kalimin e kamionëve me ndihma humanitare duke përdorur gaz lotsjellës e plumba gome.

Gjate përplasjeve humbën jetën dy protestues. Dhuna e se shtunës mund t’i nxisë Shtetet e Bashkuara të Amerikës të vendosin sanksione të reja që në fillim të javës për t’i prerë qeverisë së Maduros aksesin tek të ardhurat.

Pence do të udhëtojë në Bogota për t’u takuar me grupin e krerëve rajonalë që e njohin Guaidon si president legjitim të vendit, pasi rezultati i zgjedhjeve presidenciale në vitin e kaluar u konsiderua i manipuluar.

SHBA-ja ndërkohë dhe aleatët, po shohin dhe mundësinë për të dëbuar të afërm të zyrtareve ushtarake venezuelianë, të cilët jetojnë jashtë kufijve, përfshirë disa që ndodhen në jug të Floridës. Maduro vazhdon të kundërshtojë deklaratat se ka mungesë ushqimi dhe ilaçesh në vend dhe pretendon se kriza po sajohet vetëm për të sulmuar qeverisjen e tij.

Top Channel