Shfaqja “Karnavalet e Korçës”, me tekst të Spiro Çomorës dhe nënregji të Altin Bashës, do të shfaqet të enjten në Teatrin Kombëtar të Kosovës.
Kjo komedi lirike, e shkruar në vitet ’30, ka subjekt fatin e dy prindërve për ta zgjidhur fatin martesor të vajzës së tyre, që sipas Bashës është një shqetësim modern që ekziston edhe sot.
Teksti trajton edhe pabarazinë sociale, kapjen e shtetit, korrupsionin, raportin e biznesit me politikën etj.. Mbi të gjitha, regjisori Basha lavdëroi punën e aktorëve, që nesër do të sjellin në skenë një shfaqje spektakolare.
“Kasti i aktorëve do t’i japë veprës të tjera përmasa, shumë më të fuqishme artistike, që e çojnë edhe më tej nivelin e komedisë, e nxjerrin në pah. Është një shfaqje me shumë ngjyra, shumë spektakolare. Jemi përpjekur sigurisht të bëjmë maksimumin”, tha regjisori Altin Basha.
Aktorët u shprehën të kënaqur me punën e regjisorit, duke bërë thirrje që kjo shfaqje të ndiqet sa më shumë.
Në konferëncë, regjisori Basha foli edhe për dramën shqipe.
“Një Teatër Kombëtar e ka për detyrim thelbësor, të natyrshëm organik, mbrojtjen e produktit kombëtar. Nuk njoh teatër kombëtar në botë, që autorët vendas t’i vendosë pas autorëve të huaj, edhe pse ata mund të jenë shumë të fuqishëm. Drama kombëtare, cilësia e saj rritet vetëm duke u vënë në Teatër dhe duke besuar tek ajo”, tha më tej Altin Basha.
Shfaqja “Karnavalet e Korçës” do të jepet të enjten në Teatrin Kombëtar të Kosovës, në orën 20:00.
Top Channel