Qyteti i Kavajës vazhdon të jetë i tronditur nga skandali seksual që përfshiu një grup të miturish. Ndërkohë, hetimet vazhdojnë për të përcaktuar rolin e secilit prej të miturve, të arrestuar si autorë të dyshuar të kësaj ngjarjeje.

Familja e vajzës që u bë prè e një abuzimi nga një grup minorenësh po largohet nga Kavaja, e mbase nga Shqipëria. Ndërsa në Kavajë, të afërmit e minorenëve të arrestuar justifikojnë djemtë e tyre.

Korrespondentja e Top Channel, Vali Qyrfyci bisedoi me familjen e njërit prej tyre, të cilët flasin për gjendjen e rëndë psikologjike që po kalon i mituri dhe kërkojnë vendosjen e drejtësisë.

Ata thonë se djali i tyre, nxënës i Shkollës “Rilindja”, u tërhoq dhe nuk e kreu aktin për të cilin akuzohet, bashkë me shokët e tij.

“Më keq nuk ka ku të shkojë, ma kanë arrestuar djalin pa të drejtë. E kam shumë keq atje brenda, po e mbajnë me qetësues dhe gjilpëra. Ma kanë quajtur monstër, kur nuk është e vërtetë. Nuk e di përse e kanë bërë këtë gjë, djali nuk ka kryer marrëdhënie seksuale, thjesht prekje dhe puthje. I ka ardhur keq dhe është larguar, nuk ka qëndruar me të tjerët”, thotë prindi.

Por a e njihte ajo viktimën?

“Jo as nuk e kam parë asnjëherë. Djali e njihte me anë të shokut, por jo që të kishte komunikim apo të qëndronte me të. Thjesht ishte ai takim dhe asgjë më shumë”, shpjegon ajo.

Ai akuzohet se vajzën e kanë shantazhuar me anë të një videoje.

“Nuk e di çfarë kanë bërë djemtë e tjerë. Djali im nuk e ka bërë kurrë atë shantazh”, këmbënguli ajo.

Gjithçka nisi si një histori dashurie mes dy nxënësve të klasës së 8 të Shkollës “Rilindja”, për t’u shndërruar shumë shpejt në një histori shantazhi, abuzimi seksual që nuk pati kurrë fund. E ndoshta nuk do të kishte për vajzën, në rast se një nga punonjëset e shërbimit të kësaj shkolle nuk do ta denonconte rastin pranë mësueses kujdestare të vajzës.

Kjo e fundit ka aplikuar së fundmi për t’u pajisur me pasaportë biometrike për t’u arratisur nga ky realitet, që na vret të gjithëve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA