E premtja ishte një ditë intensive politike, por ajo që ra më shumë në sy ishte pikërisht programi ekonomik i Partisë Demokratike, një program politik dhe teknik i prezantuar nga kryetari i PD-së, Lulzim Basha. Për të hedhur më shumë dritë, përmes një ekspertize më të detajuar, e për ta bërë më të thjeshtë për publikun, i ftuar në emisionin “Top Talk” të gazetarit Denis Dyrnjaja ishte Besart Kadia, ekspert ekonomie.
Si njohës i ekonomisë, financave, luhatjeve me ulje-ngritje dhe zhvillimeve brenda këtij sektori, por edhe si njeri i afërt me politikat e Partisë Demokratike, ai u pyet se çfarë modeli ekonomik po përpiqet të ofrojë PD-ja me këtë program ekonomik të prezantuar sot.
“Në tërësi, modeli ekonomik i PD-së apo i qeverisjes aktuale nuk ndryshojnë si koncepte ekonomike. Sa i përket modeleve, ne kemi teorikisht atë të ekonomisë së tregut, ku shteti mundohet të krijojë vetëm shërbimet që i vijnë në ndihmë sipërmarrjes së lirë. Ajo që është e ndryshme, është qasja ndaj politikave fiskale dhe sesa barrë i le biznesit për të arritur një objektiv të caktuar. PD-ja, edhe gjatë qeverisjes së saj nga viti 2005 ka vërtetuar një lloj partneriteti me biznesin sa i përket fiskut. Kjo nënkupton që t’i lerë teorikisht më shumë parà në llogaritë bankare biznesit. Si bëhet kjo? Jemi te tatimfitimi, që PD-ja synon ta mbajë 9 për qind, i cili ndihet menjëherë në sipërmarrjen shqiptare, ndërkohë që nën qeverinë socialiste u rrit nga 10% në 15%, duke e larguar Shqipërinë nga tregu rajonal sa i përket konkurrueshmërisë. E dyta dhe më e rëndësishmja ka të bëjë me taksimin progresiv”, tha Kadia.
Në debatin mes taksës së sheshtë dhe asaj progresive, a do të rikthejë Partia Demokratike taksën e sheshtë?
“Po, taksën e sheshtë dhe të thjeshtë do të theksoja unë. Të jetë sa më e thjeshtë mënyra e përllogaritjes së pagesës, që të mos ketë komplikimet që sjell shkallëzimi si për qytetarin, ashtu dhe për bizneset. Modeli ekonomik nuk është se ndryshon rrënjësisht nga qasja e socialistëve, sikundër edhe Partia Socialiste nuk ka ndryshuar rrënjësisht nga qeverisja demokratike e mëparshme. Ajo që ndryshon është vetëm kahu i peshës fiskale, me PD-në që mundohet të lehtësojë sipërmarrjen e lirë në Shqipëri”, shpjegoi Besart Kadia.
Programet ekonomike prezantohen zakonisht në kuadër zgjedhjesh politike, ato për Kuvend. Pse opozita zgjodhi pikërisht këtë moment për të prezantuar një program ekonomik?
“Është e drejtë kjo që thoni ju, sepse ekonomia është teorikisht çdo ditë në vëmendje të çdo opozite apo qeverisjeje, sepse në fund të ditës atë kanë më të rëndësishme qytetarët. Nga ana kalendarike përkon me rikthimin e ekspertëve të CDU-së, që brenda dy muajsh kanë ardhur në Tiranë për të mbështetur publikisht PD-në sa i përket programit ekonomik. Kjo konvergon edhe me balancat e brendshme të Partisë Demokratike, por edhe me diskutimin politik të Shqipërisë, siç është protesta e pak ditëve më vonë. Rikthimi tek alternativa e ekonomisë është diçka e duhur, krijon një debat që i duhet shoqërisë, por shqetësimet e biznesit dhe të qytetarëve janë të përditshme. Fermeret sot kanë një shqetësim shumë të madh, për shembull, siç është TVSH-ja për rimbursimin, që është ulur nga 20% në 6 për qind. Duket si teknike, por prek me qindra e mijëra shqiptarë dhe shumë biznese. Ka një muaj që ata kërkojnë të dëgjohen, por askush s’po u kushton vëmendjen e duhur, as opozita dhe as qeveria”, deklaroi eksperti i ekonomisë Kadia.
Por çfarë kërkojnë realisht fermerët?
“Rimbursimi ka qenë 20% për çdo lloj autofaturimi që ata u jepnin mbledhësve të produkteve bujqësore, ndërsa tashmë do të rimbursohen vetëm 6%. Është një ndryshim i menjëhershëm që u ndodh fermerëve, por që do të ndiehet në rritjen e çmimeve të produkteve bujqësore në Shqipëri. Kjo do të thotë që do të importohet më shumë”, tha Kadia.
Nëqoftëse ulet TVSH-ja, përse duhet të rriten çmimet?
“Rimbursimi i TVSH-së për fermerët… Pastaj thuhet se do të vazhdojë të paguhet 20% për produktet e tjera të prodhuesve. Është diçka teknike, efektet e së cilës janë të menjëhershme. Ka një xhep të fshehtë kjo ulje, që do të rrisë çmimet me minimalisht 14% për produktet bujqësore që dalin në treg”, shpjegoi eksperti.
Në fakt, çështje teknike të përditshme, biznesi ka sepse është komplikuar ekonomia shqiptare, por sipas Kadisë, partitë politike në tërësi kanë mbajtur një diskurs politik të çështjeve të mëdha, duke harruar jetën e përditshme të qytetarëve.
Një nga akuzat politike, nga pikëpamja e konceptit të programit ekonomik që socialistët i bënë qeverisë së dikurshme të PD-së, ishte ajo ndaj taksës së sheshtë, pas së cilës u krijua një gropë financiare në buxhetin e shtetit. Midis kësaj përballjeje filozofie të dy taksave, kush është e vërteta?
“Ajo çfarë duhet të dimë është se ekonomia nuk është kontabilitet dhe as matematikë e thjeshtë. Çfarë ka ndodhur me shumë ministra Financash, të paktën në qeverisjen e majtë? Kanë bërë një përllogaritje të thjeshtë me laps a stilolaps, se po të rritet kjo taksë akcize apo atë progresive etj., do të marrim kaq të ardhura më shumë apo më pak. Por, ekonomia është filozofi në radhë të parë dhe mënyrë e të menduarit sesi do të organizojmë shoqërinë. Shqipëria ka jo më shumë se 11 mijë persona, që paguhen me më shumë se 1.000 euro në muaj. Këta janë të vetmit sot që paguajnë taksimin 23% dhe janë njerëzit më të kualifikuar, ata që punojnë në sistemin bankar, e që janë edhe kapital njerëzor. Ne kemi kapitalin më të keq njerëzor në Europë. Kjo është edhe shtresa më e penalizuar, e cila mban të gjithë shoqërinë. Shqipëria është shumë e varfër dhe po pretendohet se po u merret pasuria 11 mijë njerëzve për t’ua rishpërndarë një milion të tjerëve. Kjo do të kishte kuptim nëse ti rrit ndihmën ekonomike, sepse ky është në thelb solidariteti social. Qeverisja e majtë ka hequr mbi 20 mijë familje vetëm vitin e kaluar nga ndihma ekonomike”, tha Kadia, duke nënkuptuar kështu që socialistët janë larguar nga konteksti social i programit.
Por, kjo ndodh edhe me të djathtën, e cila duket se po bën një program social, duke anuar nga politikat e majta…
“Shpeshherë po, ka pasur kalime edhe për shkak të rrethanave të Shqipërisë. Kjo ndodh sepse ideologjia është diçka pa traditë të mirëfilltë në Shqipëri. Të flasësh ideologjikisht i djathtë dhe me kuptimin konservator anglez apo amerikan, nuk e ka terrenin e mjaftueshëm për t’u kuptuar nga shoqëria. Ne kemi popullsinë me më pak njohuri financiare në Europë. Vetëm 14% e popullsisë së rritur ka njohuri financiare. Kjo do të thotë se kur ti i flet për ekonominë kësaj shoqërie, ti mund ta manipulosh me shifra e terma, siç ndodh lehtësisht me termin “rishpërndarje”. Kjo është fatkeqësia që i ka ndodhur Shqipërisë se, për shkak të politikave populiste për të kapur pushtetin, partitë politike mundohen të premtojnë gjëra që janë të vështira për t’u mbajtur. Madje, edhe nëqoftëse arrihen, janë në kurriz të vet ekonomisë. Nëse mundohesh të ndihmosh të varfërit, ata i varfëron edhe më shumë dhe fakti është se, që prej vitit 2011, Shqipëria ka hyrë në një cikël të keq ekonomik, ne rënien e investimeve private, me ngadalësim apo zerim të kreditimit të ekonomisë. Këto janë dy tregues shqetësues që vërtetojnë se ekonomia shqiptare është në ngërç. Sfidat nuk janë vetëm të nivelit të taksimit dhe të filozofisë së rishpërndarjes”, deklaroi në vijim Kadia.
S’do shumë inteligjencë për të kuptuar që forcat politike, kryesisht partitë e mëdha përdorin populizmin për të thithur sa më shumë vota. Sot Lulzim Basha tha se ‘nuk është një kërcënim, as një premtim, por një vendim që ne do të anulojmë të gjitha PPP-të e lidhura nga kjo qeveri’. Sigurisht, nëse janë të dëmshme, të gjithë biem dakord. Por, a do të krijojë një efekt financar anulimi i këtyre kontratave të ligjshme? E nëse kompanitë do të padisin shtetin në Arbitrazh, barra shkon sërish në kurriz të shqiptarëve.
“Këtë diskutim e bëjnë shpesh politikanët tanë. Kryeministri Rama, asokohe në opozitë, tha se do të anulonte të gjitha koncesionet e dhëna nga Partia Demokratike, si skanimi në dogana, HEC-et që do të rishikoheshin, por në fakt asnjëra prej tyre nuk është pezulluar. Është shumë e vështirë të pezullosh kontrata shtetërore. Bizneset kanë nevojë për siguri juridike dhe premtimet për zhbërje të marrëveshjeve që ka arritur biznesi, në mënyrë të drejtë kontraktuale me shtetin, dëmtojnë. Pastaj për çështje korrupsioni të mirëfilltë, të kapura nga organet e tjera, jemi të gjithë dakord për rishikim. Vështirësia jashtëzakonisht e madhe që ka shoqëria shqiptare, e jo opozita, është që ne e kemi të nënshkruar fatin për 10 apo 15 vitet e ardhshme sa i përket politikave ekonomike. Ne kemi kontrata që shtrihen në një afat 15-vjeçar, këto nuk janë borxhe 15-vjeçare, por kontrata me një kompani të vetme të detyruara të shtrihen deri në 15 vite. Bëhet fjalë për mbi 2 miliardë euro që kanë shkuar në këtë lloj mënyre, pa transparencë, pa asnjë lloj konkurrence ndërkombëtare. Nuk kemi asnjë firmë ndërkombëtare që të ketë përfituar nga fondet publike, gjë që e bën shumë të vështirë konkurrueshmërinë e ekonomisë shqiptare, rrit presionin fiskal në të ardhmen dhe ia vështirëson opozitës apo shoqërisë shqiptare që të manovrojë lehtësisht në ekonominë shqiptare”, tha Kadia.
Ai u kujdes ta nënvizonte se ky është një diskutim që nuk i përket vetëm opozitës, por një shqetësim i shoqërisë shqiptare.
Të bësh premtime politike është shumë e thjeshtë, e po ashtu populiste. Ta paragjykosh programin ekonomik të PD-së është e ligjshme dhe e shëndetshme. Por, çdo artikulim i dëgjuar sot, prodhon një efekt në fund. A ka një faturë apo një kosto financiare ky program?
“Jam dakord me ju nga këndvështrimi i besueshmërisë së diskutimit publik. Qasja që iu bëhet programeve është ky, ose do të japësh frymën se ku do ta çosh shoqërinë në të ardhmen dhe më tej në pushtet ti tregon detajet sesi do ta bësh këtë – siç ishte rasti i Ramës, që tha se do të vendoste taksën progresive, e kur erdhi në pushtet na tregoi sesa do të ishte ajo, – ose do të tregosh gjëra teknike dhe duhet të jesh jashtëzakonisht shumë bindës, edhe me faturat financiare për secilën prej tyre. Nga koncepti politik, unë do të sugjeroja t’u qëndronim larg premtimeve politike dhe të detajuara në opozitë. Kjo sepse të mungon informacioni i plotë, nuk ke informacionin në kohën e duhur për shumë kontrata të nënshkruara, duke hyrë kështu në detaje që nuk të bëjnë të besueshëm. Ndaj do të thoja se PD-ja e ka të domosdoshme të shpjegojë faturën financiare të veprimeve që do të ndërmarrë, siç është arsimimi falas, ulja e taksave, subvencionet e ndryshme. Këto janë kosto të vështira për t’u realizuar në mënyrë të menjëhershme”, shpjegoi Kadia.
Një debat i madh prej vitesh është çështja e borxhit publik. Njëra palë (socialistët) thonë që e kanë trashëguar, ndërsa pala tjetër (demokratët) thonë se socialistët po spekulojnë duke e fshehur borxhin publik. A ka në programin e PD-së një rrugëtim sesi do të ulet borxhi publik konkret?
“Nëse do të isha ministër i Financave nesër, do të thoja se sfida e Shqipërisë është borxhi publik. Të gjitha masat që do të ndërmerren do të bëhen me këtë presion të llahtarshëm që kanë financat publike të Shqipërisë për 10-15 vitet e ardhshme. Të gjitha masat që ndërmerren më pas, si për investime publike, për ulje taksash, apo favorizime, do të kenë parasysh këtë presion të vazhdueshëm. Duhet të bëhet një diskutim i tillë si ai që kemi dëgjuar në Perëndim me termin ‘austerity’, apo masa shtrënguese. Shqipëria do të hyjë shumë shpejt në ‘austerity’, sepse është natyra e financave publike që kemi ne që na detyron. Të ardhura që mungojnë nga viti në vit, apo rritja e taksave. Unë mendoj se kemi taksat më të larta. Ekonomia shqiptare do të ndiejë papërgjegjshmërinë që ka pasur në politikat ekonomike të 7 viteve të fundit, duke mos marrë asnjëherë masa reale për të korrigjuar problemet e saj. Ne do të kishim shpresë nëqoftëse do të kishim zgjidhur minimalisht dhe institucionalisht pronën”, tha Kadia.
Por si do ta zgjidhim, apo si mund të ndalet që Shqipëria të vijojë në këtë të tatëpjetë?
“Minimalisht duhet të jemi të sinqertë me grupet e interesit. Kjo do të thotë auditim i huaj për financat publike. Ne nuk e dimë ende realitetin, sepse kemi këndvështrime krejtësisht të ndryshme nga Ministria e Financave, nga Kontrolli i Lartë i Shtetit, nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. Së dyti duhet të shohim realisht kostot financiare të të gjitha kontratave me PPP të nënshkruara, sepse edhe FMN-ja, edhe vet Ministria e Financave kanë thënë se kanë nënshkruar kontrata pa bërë analizën kosto-përfitim për këto kontrata. Ne sot nuk jemi të sinqertë me askënd, as me shoqërinë, as me grupet e interesit, as me bankat se, sa është kostoja reale dhe përfitimi real i taksapaguesve për këto kontrata. Më pas, nëse na mbetet hapësirë duhet të bëjmë reformat institucionale në kohë dhe të shpejta, pa bërë dy të parat ne e kemi të vështirë të bëjmë politika ekonomike”, përfundoi Kadia.
Top Channel