Me duartrokitje është pritur deklarata e kryeministrit Tsipras në mbledhjen e kabinetit me anë të së cilës njoftoi se rrit për herë të parë pas 11 vitesh, pagën minimale mujore me 10.9%.
“Ju ftoj të miratoni propozimin tim që paga minimale mujore të rritet tashmë dhe të shkojë në 650 euro”, tha Aleksis Tsipras, kryeministër i Greqisë.
Sipas deklaratave të kreut të qeverisë rroga minimale shkon nga 586 euro në 650 €, për personat mbi 25 vjeç, ndërsa për ata poshtë kësaj moshe rritja është 140 euro në muaj.
Nga kjo masë lehtësuese e miratuar edhe prej kreditorëve të vendit përfitojnë mbi 880.000 të punësuar. Ka disa muaj që Athina zyrtare duke pasur bilance ekonomike më të larta madje edhe se pritshmëria e huadhënësve, tenton që pas 8 viteve të krizës të risjellë një frymë të re në tregun e punës ku mbizotërojnë kushte tepër të vështira për shumicën e grekëve.
“Ju përgjigjemi gjithë atyre që kane mendim të kundërt se shkatërrimi i marrëdhënieve të punësimit nuk është zgjidhje për zhvillim dhe përforcim të ekonomisë, përkundrazi është një provë e madhe e falimentimit”, tha Aleksis Tsipras, kryeministër i Greqisë.
Shtatë vjet më pare brenda një nate qeveria e konservatorëve në koalicion me socialistet e Pasok-ut ulën pagën minimale me 22%. Pasoi shkelja e shumicës së kontratave kolektive në sektorin privat dhe shtetëror, pagat e administrates u ulën gati deri në 40% dhe tregu i punës pati një çrregullim në dëm të të gjithë atyre që ishin në marrëdhënie pune, ndërkohë që papunësia shkoi në gati 28%.
Por pas daljes se Greqisë nga programet e ndihmës në gushtin e kaluar klima në tregje ka ndryshuar. Kjo ka sjellë edhe që ofertat e sotme për bondin pesëvjeçar që Athina hodhi në treg të jenë me një përqindje shumë më të ulet se sa para tre vitesh.
Ndërkohë shumica e grekëve e kanë pritur me pozitivitet masën e rritjes së pagës minimale, por janë skeptikë nëse do të zbatohet nga punëdhënësit që Pavarësisht ligjeve të rrepta vazhdojnë të mbajnë një pjesë të mirë të të punësuarve me paga informale dhe të pasiguruar.
Top Channel