Disa orë pasi Parlamenti grek ratifikoi Marrëveshjen e Prespës, liderët e Socialistëve dhe Demokratëve, të të Gjelbërve dhe të së Majtës në Parlamentin Europian kanë propozuar kryeministrat Aleksis Tsipras dhe Zoran Zaev si kandidatë për çmimin Nobel të Paqes për vitin 2019, si dy udhëheqës që pavarësisht nga opozitat nacionaliste, kishin guximin politik për të ecur përpara.

Propozimi që nënshkruhet në një deklaratë të përbashket nga Udo Bullmann, Ska Keller dhe Gabi Zimmer, thekson ndër të tjera se “Marrëveshja e Prespës mes Greqisë dhe ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë i jep fund një konflikt të gjatë dhe sjell stabilitet në Ballkanin Perëndimor, ndërsa përbën gjithashtu një model për zgjidhjen paqësore të problemeve ndërkombëtare nëpërmjet dialogut dhe kompromiseve të ndërsjella.

Edhe para një muaji në Shkup fituesja e çmimit Nobel për Paqe në vitin 2015, Ouided Bouchamaoui bëri të njëjtin propozim. Nuk ka të humbur dhe të fituar sot, ka thënë Tsipras, por do të shihni rezultatet pozitive të kësaj marrëveshjeje shumë shpejt.

BE, SHBA, OKB, NATO dhe dhjetëra liderë të huaj si dhe mediat ndërkombëtare kanë përshëndetur zhvillimet në Greqi, duke theksuar fundin e një konflikti 28-vjeçar dhe duke lavdëruar guximin politik të Zaevit dhe Tsiprasit.

Ndërkohë, sfida e madhe e Tsiprasit deri në zgjedhjet e ardhshme pas disa muajsh është që të bindë një pjesë të mirë të grekëve që vazhdon të reagojë dhe të mos pranojë këtë ndryshim në lidhje me fqinjët veriorë, ndërsa për të tretën mbrëmje radhazi janë regjistruar sulme nga grupe të ndryshme në shtëpitë e disa deputetëve të Syrizës në qytetin e Katerinës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA