Ratifikimi i marrëveshjes së Prespës nga ana e Parlamentit grek u prit me reagime të shumta, pozitive dhe negative; pozitive nga qarqet zyrtare, nga Uashingtoni në Bruksel, dhe negative nga rrugët dhe sheshet e dy vendeve respektive.

Por, nuk mund të mungonte edhe shprehja e kënaqësisë nga ata që mund të konsiderohen faktorë në këtë arritje. Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, roli i të cilit në sigurimin e mbështetjes së zgjedhësve shqiptarë për marrëveshjen ishte i rëndësishëm, i ka drejtuar një letër përgëzimi ish-ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias, një prej arkitektëve të marrëveshjes.

“Më në fund erdhi dita kur bashkarisht mund t’i gëzohemi një suksesi të përbashkët kaq të madh”, thuhet në letrën e Ahmetit.

“Shpesh i rikujtoj takimet tona konstruktive, kur ndanim të njëjtin qëllim, kishim të njëjtat bindje, por edhe na bashkonte i njëjti optimizëm se mund të arrijmë këtu. Fortunat dhe vranësirat nuk na largonin dot nga qëllimi i paracaktuar dhe u dëshmua që ishim në rrugën e duhur të historisë dhe që asnjëherë nuk e larguam përqëndrimin tonë nga qëllimi përfundimtar. I nderuar mik, ia dolëm”, vijon letra e Ahmetit.

Sipas kreut të BDI-së, të gjithë ata që kontribuan për këtë vepër shekullore duhet të jenë krenarë sepse ndërtuan një vlerë civilizuese dhe evropiane dhe kontribuan për paqen në rajon.

Sipas marrëveshjes, Greqia tani heq kundërshtimet e saj ndaj pranimit të fqinjit të saj ballkanik në NATO, pas një konflikti prej gati tre-dekadash.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA