Serena Williams eliminon numrin 1 të botës, Simona Halep dhe kualifikohet për në çerekfinale të Australian Open.
Tenistja amerikane arriti të fitojë këtë ndeshje me rumunen me rezultatin 2-1, pas 1 ore e 47 minutave lojë. Amerikania dominoi setin e parë teksa e fitoi me rezultatin 6-1. Halep ishte pak më superiore në të dytin që e fitoi 6-4, për të barazuar shifrat në 1-1.
Në setin final, Williams arriti të fitojë një “game” me shërbimin e kundërshtares, duke fituar setin 6-4 dhe krejt sfidën.
U kualifikuan për në çerekfinale edhe kampionia e US Open, Naomi Osaka, e cila eliminoi Sevastovën 2-1 dhe Pliskova që mundi Muguruzën 2-0.
Në kampin e meshkujve, Milos Raonic eliminoi talentin gjerman Alexander Zverev, teksa e mundi me rezultatin 3-0, duke siguruar një vend mes 8 më të mirëve të turneut. Tenisti kanadez ishte superior ndaj numrit 4 të botës dhe e fitoi sfidën brenda 1 ore e 59 minutave lojë. Raonic i fitoi me lehtësi dy setet e parë me rezultatin 6-1 dhe 6-1, ndërsa seti i tretë u vendos nga “tiebreak”-u: 7-6 për kanadezin.
Top Channel