Ashtu siç edhe pritej, mbrëmjen e së mërkurës ka mbërritur në Athinë dokumenti zyrtar i qeverisë së Shkupit, ku njoftohet se Parlamenti i Maqedonisë së Veriut ka aprovuar ndyshimin e emrit të vendit.

Dokumenti mbërriti në Athinë nëpërmjet zyrës së kontaktit të Greqisë në Shkup, e menjëherë i është dërguar kryeministrit Alexis Tsipras, pikërisht në momentin që qeveria mori votëbesimin parlamentar me 151 vota pro.

Duke vlerësuar se është koha që edhe pala greke të nisë procedurat për të miratuar marrëveshjen, duke i dhënë fund ngërçit gati 30-vjeçar me fqinjin e saj verior, kryeministri grek deklaroi se është momenti që mes dy vendeve të hapet një faqe e re në marrëdhëniet dypalëshe, e një ogur i mirë për të dhënë mesazhe paqeje dhe bashkëpunimi në të gjithë rajonin.

I shpëtuar vetëm me një votë prej mocionit të opozitës, tashmë kryeministrit Tsipras do t’i duhet të bindë deputetët e partisë së tij, por edhe deputetët e pavarur që e votuan për të qëndruar në krye të qeverisë, për të aprovuar marrëveshjen për emërtimin zyrtar të Maqedonisë së Veriut, e në vazhdim njohjen zyrtare të këtij vendi prej Athinës.

Sipas Kushtetutës, marrëveshja mund të kalojë edhe me shumicë të cilësuar prej Parlamentit, pra jo me shumicë absolute prej 151 votash, por mjafton një votë më tepër në Komisionin e Sigurisë Kombëtare.

Por, më herët Tsipras deklaroi se do ta sjellë marrëveshjen në Parlament dhe do ta votojë atë me shumicën prej më shumë se 151 votash, duke sfiduar kështu jo vetëm opozitën e djathtë, por edhe ish-partnerin e tij në qeveri, Panos Kammenos, i cili në votimin e së mërkurës humbi 4 vota të deputetëve të “Grekëve të pavarur”, duke e çuar këtë parti një hap larg shpërndarjes së grupit të saj parlamentar.

Nëse Tsipras do të mundet ta votojë marrëveshjen në Parlamentin grek, do të duhet që atë ta kalojë edhe në Këshillin e Sigurimit në OKB, ku siç dihet, Rusia ka deklaruar se do të vendosë veton e saj, gjë që ka hapur një kapitull përballjeje mes Athinës dhe Moskës, me këtë të fundit të akuzuar prej Ministrisë së Jashtme greke për ndërhyrje në punët e brendshme të Greqisë dhe Maqedonisë së Veriut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA