Kryeministri grek Alexis Tsipras fitoi një votë besimi në parlament të mërkurën, duke hequr kështu një pengesë të madhe për miratimin nga Greqia të paktit për t’i dhënë fund një mosmarrëveshje mbi emrin e Maqedonisë dhe për të shmangur mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme.
Tsipras thirri vetë mocionin e besimit, pasi partneri i tij i koalicionit të krahut të djathtë, Panos Kammenos, e la qeverinë më 13 janar, në shenjë proteste ndaj marrëveshjes së emrit, të nënshkruar midis Athinës dhe Shkupit vitin e kaluar.
Parlamenti i dha Tsiprasit 151 vota, duke përmbushur pragun e kërkuar në asamblenë prej 300 anëtarësh. Partia e tij e majtë Syriza ka 145 vende në parlament, ndërsa mbështetje shtesë u grumbullua nga devijimet e deputetëve të partisë ANEL të Kammenosit dhe atyre të pavarur, që i dhanë atij gjashtë vota.
“Unë ju bëj thirrje me dorë në zemër për të dhënë një votëbesim qeverisë që po bën betejë, e cila u trazua, por arriti ta nxirrte vendin nga memorandumet dhe mbikëqyrja”, tha Tsipras, duke iu referuar huadhënësve ndërkombëtarë të Greqisë që mbanin vendin në një monitorim të shtrënguar për vite me radhë.
Kundërshtarët grekë të marrëveshjes thonë se emri i ri i Maqedonisë, Republika e Maqedonisë Veriore, e arritur pas dekadave të mosmarrëveshjes midis Athinës dhe Shkupit, paraqet një përpjekje për të përshtatur identitetin grek.
Maqedonia është emri i rajonit më të madh verior të Greqisë. Marrëveshja u nënshkrua mes të dy vendeve në mes të vitit 2018, e cila varet nga ratifikimi i parlamenteve në të dy vendet dhe një hap i nevojshëm për shtetin e vogël të Ballkanit që do të konsiderohet për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Kujtojmë që Shkupi e miratoi marrëveshjen në Parlamentin e tij javën e kaluar, ndërsa tani topi i ka kaluar Greqisë, që duhet të bëjë të njëjtën gjë në parlamentin e saj.
Top Channel