Një libër mbushur me absurditete njerëzore.

Historia zhvillohet në një vend pa emër, në një shtëpi në fermë që shërben si një banesë pushimi për femijët. Aty jeton edhe heroina jonë, Billie, një vogëlushe e bukur, e cila një pasdite zbulon se ndodhet në mesin e një zone lufte. I zymtë dhe herë- herë sureal, emocionalisht i rrezikshëm por origjinal dhe artistikisht i arrirë, “Shtëpia e fëmijëve në Reindeer Woods”, është një libër me një dramë të fuqishme brenda. Kur tre ushtarë të armatosur shfaqen papritur, miqve të paftuar u shërbehet ujë dhe ushqim. Situata duket e rëndë dhe lind nevoja për negociata, zbutje, pajtim, cfarëdo lloj marrëveshje e nevojshme me qëllim për të blerë mbijetesën në një kohë lufte. Përndryshe, dhjetra vrasje kryhen në një renditje të shpejtë. Po përse? Pa asnjë kërcënim, pa asnjë kauzë, vetëm goditje zjarri drejt e në mish të pafajshmish. Njëri prej ushtarëve, Rafaeli, u kthehet së fundi edhe shokëve të tij. Lufta të cmend dhe vdekjet e saj kthehen në passion. Ai duket se do t’i eleminojë ata sepse dëshiron të bëhet fermer. Dhe kështu edhe me dy vrasje më shumë, të vetmit të mbijetuar nga kjo kasaphanë janë Rafaeli dhe një vogëlushe me emrin Billie, së cilës i është kursyer jeta, ndoshta krejt rastësisht. Prej këndej nis një jetë e re. Billie e di se “fëmijët mund të bëjnë edhe sikur s’kuptojnë“.

Ajo fshihet pas një kacubeje, ndërsa vëzhgon në heshtje se si Rafaeli hap cdo ditë nga një gropë për ta mbushur me kufomat e tij të vrara. Sapo kjo skenë merr fund, Billie vazhdon jetën e qetë në një bashkëjetesë të cuditshme me banorin e ri. Me kohë, ajo dhe Rafaeli fillojnë të ndihen si vëlla e motër. Por ka dhe raste të tjera, të mbushura me pasion fëmijëror kur ata flirtojnë me njëri- tjetrin ndërsa një murgeshë endacake kalon papritmas mbrëmjen në banesën e tyre. Por kjo nuk është një histori përshkrimi e momenteve të para të seksualizmit të Billit. Rafael nuk pranon një vogëlushe të rritet përtej pritshmërive të tij, një fëmijë mbushur me dëshirën për të njohur ngado botën që e rrethon. Këto marrëdhënie mund të tingëllojnë të pashpresa, por ato përshkruhen me një teatralitet gjallues, ndërsa karakteret shkojnë deri në thellësi të kufijve të identitetit. Kristin Omarsdottir, autorja e librit, poete dhe dramaturge e njohur islandeze gjatë dialogjeve mes personazheve tregon një aftësi të jashtëzakonshme për t’i transmetuar lexuesit me kujdes emocione mes alegorive letrare mbushur me të vërteta dhe absurditete rreth gjendjes dhe jetëve njerëzore. Romani “Shtëpia e fëmijëve në Reindeer Woods” e Omarsdottir, është një polemikë kundër luftës dhe dhunës ndaj fëmijëve në veçanti.

Top Channel