Nga rrugët me çakull e gropa pa fund, ku mungonte thuajse çdo element i zhvillimit urban, blloku i banimit “Frederik Shiroka” në Njësinë 7 po merr një pamje krejt të re.

Projekti i rikualifikimit të plotë urban i kësaj zone u siguron banorëve të lagjes rrugë më mira, trotuare, hapësira rekreative, si dhe një kënd lojërash për fëmijë. Gjatë inspektimit të punimeve, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj theksoi se këtë vit fokusi do të jetë tek investimet në çdo lagje e periferi të kryeqytetit.

“Jam shumë i lumtur që e kemi filluar vitin e ri me marshin e pestë, kur vjen puna tek ndërhyrjet kapilare. Në këtë vit të fundit të mandatit, fokus do të jenë ndërhyrjet nëpër lagje dhe në periferi, për t’u siguruar që siç është punuar me të njëjtin cilësi në sheshin “Skënderbej”, tek Pazari i Ri, Liqeni, kështu të punohet në çdo cep të Tiranës. Njësia 7 është ndoshta një nga njësitë më të populluara, ndoshta një qytet i dytë pas Tiranës, ndaj fakti që blloku “Frederik Shiroka” e nis me këmbë të mbarë këtë vit të ri, besoj se është një lajm i mirë për të gjithë banorët. Puna fillon në zemër të Tiranës dhe mbaron në periferi, deri te Dogana ose Terminali i Autobusëve. I kemi marrë blloqet mbarë”, tha ai.

Veliaj vuri theksin tek mbështetja buxhetore e këtij viti për investime të tilla dhe falënderoi banorët të cilët kanë qenë bashkëpunues për të liruar hapësirat e zaptuara. “Qytetarët kanë bashkëpunuar, kanë tërhequr muret, kanë lejuar një trotuar, kanë liruar disa hapësira të zaptuara për të bërë një kënd lodrash. Bashkimi bën fuqinë! Po të jemi të bashkuar dhe po të jemi të gjithë bashkëpunues, siç kemi qenë deri tani, nëse na lejon moti, në kohë rekord do vazhdojmë me asfaltin, me sinjalistikën. Jemi kujdesur që të ketë një proporcion të drejtë midis hapësirave rekreative, kënde lojërash dhe hapësirave për makinat. Pra, as nuk po e kthejmë të gjithën në kënd lojërash, se sigurisht që duhet të ketë makina, po as mund ta bëjmë të gjithë parking”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku theksoi rëndësinë e investimeve në njësinë 7, e cila është jo vetëm një nga zonat më të populluara të kryeqytetit, por edhe një nga njësitë që ka përfituar më shumë inverstime gjatë këtyre viteve të fundit. “Duke ruajtur këtë balancë do të vazhdojmë bllok më bllok; besoj që Njësia 7 ka parë në këto 4 vite një rekord investimesh, që do të vazhdojnë edhe në mandatin tjetër. Sigurisht, me të pestin, siç e kemi nisur, deri në fund të qershorit, për t’u siguruar me banorët që siç kemi punuar ditën e parë, kemi punuar deri ditën e fundit”, u shpreh kreu i Bashkisë.

Veliaj theksoi se këto investime të rëndësishme, të cilat mundësohen falë punës së përditshme të bashkisë përgjatë gjithë mandatit, kanë rritur ndjeshëm vlerën e pronës për çdo qytetar të kryeqytetit. “Ne nuk punojmë me fushatë, por kemi pasur fushatë përditë në këto 4 vite. Ndaj, dua t’i falenderoj të gjithë për bashkëpunimin, kjo është një nga njësitë model, edhe besoj, vetëm duke vëzhguar ngritjen e vlerës së pronës në Njësinë 7 dhe në njësitë e tjera ku kemi ndërhyrë, besoj se është një lajm i mirë që gjithë zonën që preket, dhe për gjithë ata qindra banorë që do të kenë një vlerë të re më të rritur të shtëpive dhe pronave të tyre, në këtë komunitet”, deklaroi ai.

Kryetari i Këshillit Bashkiak, Aldrin Dalipi falenderoi bashkinë për vëmendjen që i ka kushtuar kësaj njësie, ndërsa tha se Këshilli do të vazhdojë të mbështesë çdo investim. “Ky është një investim i mirëpritur. E falenderoj kryetarin e Bashkisë dhe skuadrën e tij, si përfaqësues i Njësisë 7 në Këshillin Bashkiak. Ajo që shohim ne në këto vite është se njësia është prekur në çdo cep të saj, kështu që do të vazhdojmë edhe në Këshillin Bashkiak të mbështesim bashkinë, që në gjithë Tiranën të vazhdojë investimet e veta”, tha Dalipi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA