Një rrëfim i fortë mbi individin dhe dëshirën e përhershme për ta gjetur zgjidhjen tek dashuria. “Tutori”, romani i tretë i Mimoza Ahmetit vjen me qëllimin për të promovuar letërsinë e mirë shqipe.
Në qendër të librit është historia e një gruaje në luftë me trazimin e saj të brendshëm, duke zbuluar një botë të pafundme shqetësimesh e kërkimesh për t’i dhënë letrave shqipe, më shumë mbi psikikën femërore. Ky është dhe një libër politik, pasi në thelb kemi një individ, produkt i këtij kaosi social e politik që jetojmë.
Ky është një libër që kam filluar ta shkruar që nga viti 1994, e mendoni, është mbyllur një vit më parë shpjegon autorja në një bashkëbisedim me gazetaren Monika Stafa për rubrikën Vitrina e Librit, në Top Channel. Po cfarë është ky roman atëherë kaq vite i fshehur për Moza Ahmetin? Për mua, përgjigjet ajo, mbetet një çlirim shpirtëror, sepse kontekstet kuptimore, duam apo s’duam ne, rëndojnë mbi shpirtin e njeriut.
Është një ngarkesë e lodhshme për psiqikën, por njëkohësisht dhe një barrë nga e cila duhet të lehtësohemi. Simbolika duke ndihmuar kontekstet e kuptimit për t’u bërë të kuptueshme, plotëson misionin, dhe lehtëson autorin duke mos e ndjerë më produktin si veprën time, por të të gjithë juve, vazhdon ajo.
Kjo nuk është vetëm një histori e thjeshtë e imja, është ca më shumë”. Për Ahmetin, ‘Tutori’ nuk është një personazh real e fizik. Është thjesht psiqika jonë e kontrollueshme dhe e manovrueshme nga tutorët e kohës, në cdo fazë të re të jetës. Ndaj ne, thekson Ahmeti, duhet të jemi koshient kur luftojmë me veten. Sot nuk ka luftë me armë, sot ka luftë informacioni. Sa më shumë të dish aq më shumë luftohesh. “Cilësia me të cilën vjen ky libër është tërësia e koncepteve. Shpesh në literaturat e rëndomta ndihet rryma për të krijuar direksione.
Ky roman, thekson autorja e librit, është i tëri perceptiv, ku elementet e fiksionit, shkartisen me vetëdijen dhe nënvetëdijen duke krijuar personazhe të ndryshëm por dhe të cuditshëm, real dhe jo real. Pra është një miks i virtualitetit, ku jeton truri dhe e ka të vështirë që në realitet të bëjë dallimin e reales nga jo realja.”, vëren Moza Ahmeti më tej. Ndër të tjera, thekson ajo, ne vazhdojmë të jetojmë një tranzicion të gjatë pa anë e pafund, duke lënë pasoja të rënda në shpirtrat tanë, të cilat duke shkruar dhe duke reflektuar them që do t’i lehtësojmë duke u bashkuar në atë pikë që ta bëjmë jetën më të lehtë dhe të ndritshme.
Pjesë nga romani Tutori
“Mos flirto me të vdekur, se nuk mund t’u bëj dot ballë! Me të gjallët bëj si bëj, bëj rivalitet, por një të vdekuri nuk kam ç’t’i bëj! Kuptove? Nuk konkurroj dot me të vdekur!” Dhe, vërtet, ashtu ndodhi, qaja të më shpëtonte nga Leo, ndërsa po vdisja. Por ai tundte kryet dhe dëshpërueshëm dilte nga shtëpia. Leo ishte i dyti.
I pari kishte qenë Fjodori, një i fandaksur nga Rusia, për të cilin më zinin ethet në mes të gushtit, mbulohesha kokë e këmbë me kuvertë, po nuk arrija të ngrohesha. Fjodori ishte i një dashurie mistike, plot terratis dhe dirigjim Siberie, ndërsa dashuria e Leos ishte një agoni botore, masive, publike, një orgji pa karakter dhe destin dhe pa objekt privat, siç mund të quhet përfytyrimi i një të dashuri në kuptimin e ëmbël të fjalës.
Top Channel