Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj uroi sot të gjithë besimtarët e krishterë dhe ortodoksë me rastin e Krishtlindjes. Ai mori pjesë në pritjen e Kishës Ortodokse ku i përcolli urimet Kryepeshkopit të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Fortlumturisë së Tij, Anastas Jannullatos, dhe përmes medias, gjithë besimtarëve të tjerë që festojnë sot.
Veliaj deklaroi se këto festa janë edhe një moment reflektimi për këdo, ndërsa siguroi se 2019-a do të jetë një vit punësh. “Uroj që ky fundvit dhe këto festa, të na bëjnë pak më të mirë. Kur mendon se sa shumë çirremi dhe grindemi me njëri-tjetrin, ndonjëherë për gjëra kot, shumë zhurmë për asgjë, dhe në fund të ditës punët gjithsesi bëhen, harrojmë kush ulërinte më shumë në fillim. 2019 do të jetë një vit punësh, një vit shumë më i mirë se sa ky që lamë, edhe pse ndihem mirë që falë solidaritetit të njerëzve kemi pasur një 2018 jo pak suksesshme”, deklaroi ai.
Kreu i Bashkisë së Tiranës vlerësoi solidaritetin e treguar në gjithë qytetin e Tiranës në këtë periudhë dhe shprehu bindjen se ajo do të vijojë edhe pas festave të fundvitit. “Ndihem i bekuar si kryetar i Bashkisë teksa kemi parë një valë solidariteti në gjithë qytetin e Tiranës. Nuk mbaj mend të jenë mbledhur kaq shumë rroba, lodra dhe ushqime sa këtë vit. Do të thotë se paskemi brenda nesh bujarinë, fisnikërinë, mirësinë, njerëzillëkun. Lus Zotin që të vazhdojë edhe mbas dhjetorit, edhe në janar, në shkurt, në mars. Nevojat nuk mbarojnë me festat, ato vazhdojnë, dhe më gëzon fakti që qyteti është ngritur në këtë stinë solidariteti, duke filluar nga më të vegjlit që kanë dhuruar nëpër shkolla, kopshte, çerdhe, e deri tek më të rriturit dhe të moshuarit”, tha Veliaj.
Në këtë ditë të shënuar, stafi i bashkisë, nënkryetarët dhe anëtarët e Këshillit bashkiak shërbyen në të gjitha mensat sociale të Tiranës, që ofruan vakte të ngrohta për të moshuarit, personat me aftësi të kufizuara dhe në pamundësi ekonomike. Teksa mori edhe mbështetjen nga krerët e klerit, Veliaj bëri me dije se plani i Bashkisë së Tiranës do të jetë hapja e qendrave të tjera sociale. “Plani është që vitin tjetër të hapim më shumë qendra sociale. Nga takimet që pata sot edhe me Kishën Katolike, Ortodokse, dhe Protestante, kuptova se komunitetet duan të përfshihen, të marrin një pjesë të barrës sociale. Ju e dini fare mirë, Tirana është vend ku vijnë të gjithë, vijnë ata që kanë talent, që kërkojnë punë, por vijnë edhe ata që kanë nevojë. Për këto nevoja, Tirana do të jetë gjithmonë hapësirë për sa më shumë kontribute”, tha ai.
Për festat e fundvitit, Bashkia e Tiranës ka marrë të gjitha masat për organizimin e një koncerti festiv, ku nuk do të mungojnë fishekzjarret, por edhe zërat më të mirë të muzikës, për të pritur 2019-n me energji pozitive. “Kemi marrë masat që për Vitin e Ri të sigurohemi që të jetë vetëm Bashkia e Tiranës ajo që hedh fishekzjarrët. Kështu, edhe njerëzit kursejnë, por edhe nuk kemi atë histerinë me zhurma dhe plasje, që ndodh tipikisht në anët tona. Jam shumë i lumtur që kemi organizuar, siç bëmë mbrëmë, edhe një koncert për natën e 31 dhjetorit me disa nga artistët më të mirë, për të rifilluar punën në 1 janar me çekun e bebes, që këtë vit falë vendimit të qeverisë Rama është 8-fishi i asaj që jep Bashkia”, deklaroi Veliaj.
Më pas, kryetari i Bashkisë së Tiranës së bashku me Arkipeshkvin e Arkidioqezës Metropolitane të Tiranë-Durrësit, imzot George Frendo dhe të rinj vullnetarë, zgjodhën që të uronin “Gëzuar Krishtlindjen” duke shërbyer drekën në mensën sociale në “Don Bosko”, ku përcollën mesazhin se kur ka vullnet dhe dëshirë, të gjithë bashkë mund të bëjnë gjëra shumë të mira. Kryebashkiaku Veliaj përcolli urimet edhe për besimtarët në selinë e Vëllazërisë Ungjillore në kryeqytet.
Top Channel