Fustani i Ana Kareninës teksa luhatet nga era, para se të humbë përgjithmonë në stacionin e trenit në Moskë, të kujton se letërsia është një histori dashurie dhe fati përzier bashkë, një përshkrim i uraganit të çmendur të pasioneve të njeriut dhe i luftës që ai bën me to.

Por në fund, ashtu siç do të shprehej Vronski (i dashuri i saj) letërsia nuk është gjë tjetër veçse një histori mungese. Të njëjtën gjë duhet të ketë menduar dhe Heathcliff teksa i dukej i pamundur takimi sërish me Katerinën në Londrën e viteve 1802 (romani “Majat e stuhishme”, Emily Bronte). Juri Zhivago nuk do të mendonte ndryshe.  Doktori dhe poeti i revolucionit rus të viteve 1917, do donte që Pastërnak të mos e kishte takuar kurrë më infermieren Lara.

Ndoshta jeta e tij do të kishte shkuar e qetë dhe e lumtur përkrah aristokrates Tonia. Por jo, pasioni i një dashurie të pamundur do ta çonte këtë personazh drejt sfidave që as që i kishte menduar më parë. Kjo pasi në dashuri çdo gjë është e mundur. Viktor Hygo do të mblidhte gjithë fatin e dashurive të tij të humbura te një histori. Në Parisin e viteve 1482, novela e tij mbi gungaçin e Notre Dame do të rrëmbente zemrat e miliona lexuesve.

Kjo pasi historia e pamundur e tij me balerinën Esmeralda, ishte e njëjtë me historitë që çdo njeri kishte fshehur diku në jetë. Hygo do të idealizonte dashurinë me këtë libër, e cila ku ndien nuk do t’ia dijë për pamjen. Por a ishte kjo Franca që ai tregonte? Në një shoqëri ende në atë kohë të paçliruar nga konservatorizmi, ndarjet e personazheve nuk ishin gjë tjetër veçse pasojë e këtij mentaliteti. Librat deri në kohët e sotme më shumë se na shtyjnë drejt kërkimin, na tregojnë se sa e vështirë është rruga e kthimit, por jo e pamundur.

Të vendosur përballë situatash të vështira, janë të pafundme personazhet në galerinë e letërsisë botërore, të cilët kanë vuajtur pasojat e një ndarjeje të gjatë. Pothuajse në çdo libër ti gjen një të tillë, aq sa duket sikur është kjo gjendje njerëzore që ka shpikur shkrimin. Fytyra e imët e një vajze teksa linte Tokion për të udhëtuar drejt një tjetër jete, tregon gjithë trishtimin për humbjen e një historie që po lë pas, te  “Dashnori” i Margarite Duras. Në fund të këtij rrëfimi, Duras e mbyll librin me kthimin e tij në Paris, duke i telefonuar.

Të gjithë kthehen një ditë, e këtë e gjen në fate librash, ashtu si në jetë. Por ajo që nuk i bën të bukura kthimet është koha. Distancat e gjata që i kanë ndarë personazhet në mes, kanë lënë shenja që nuk mund të fashiten me disa orë. Aq sa personazhi i Duras, nuk di të përgjigjet, kur ai i thotë se e dashuron ende. Duras e mbyll romanin pa zërin e saj, por thjesht me frymëmarrjen që duket sikur del nga fletët e librit. Ernest Hemingëay është një tjetër mjeshtër i ndarjeve. Kodrat sa elefantë të bardhë, është ndoshta një nga prozat e shkurtra, por më me tension të ndarjes, ku si një stilist i gjuhës, ai e jep ndarjen e dy personazheve përmes përshkrimeve të natyrës. Hemingëay është i pamëshirshëm me personazhet e tij. Ata i ndan vetëm një fije e hollë nga dashuria te dhembja, ashtu siç ndodh te “Lamtumirë armë”.

“Është si në jetë, ti e di që një ditë do të kujtohesh për të”, do të shprehej Skot Fitzgerald pas dy gotave skoç. Të njëjtin mendim ndan dhe John Fante, i cili do ta ndëshkonte fort personazhin e tij te “Pyet pluhurin” me vdekjen e Kamilës. Janë të ndryshme pyetjet që kritikët ngrenë sot për kryevepra të letërsisë, libra të ngritura mbi histori pasionesh të pamundura dhe tradhtish. Libra që shpesh janë urryer me të njëjtën forcë siç janë dashur, janë botuar e ribotuar, dhe nga një shekull në tjetrin vazhdojnë të kenë të njëjtën forcë në mesazhet që mbartin.

Që nga Penelopa, apo Andromaka, në libra vazhdojmë të shohim fytyra të trishtuara femrash që qajnë dashuritë e humbura. Të tjera fytyra do vazhdojmë të shohim në letërsinë e re që lind çdo ditë, për sa kohë ndarja apo ikjet vijnë shpesh duke na lënë befasinë.

“Unë besoj te kthimet”, shprehet shkrimtarja italiane, Susana Tamaro, e cila ndez një dritëz të vogël te personazhet e saj duke i kthyer larg në kujtesë, e për të hapur portat që dikur i kanë mbyllur”. Qëndro pa lëvizur, në heshtje dhe dëgjo zemrën tënde. Kur ajo të ketë folur, ngrihu dhe ndiqe nga pas”, thotë ajo. Nga vendi i Alberto Moravisë, Dino Buzatit, apo Italo Svevos, ndarjet janë thjesht një ikje në kohë për t’u takuar në një kohë tjetër.

Alda Bardhyli

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA