Largimi i të miturve nga banesat, kryesisht adoleshentë, është kthyer në një fenomen shqetësues edhe për policinë e shtetit. Prindërit të alarmuar pasi humbin kontaktet me fëmijët denoncojnë rastet që në shumicën e tyre gjenden pas rreth 24 orësh ose kthehen vetë në banesë.

Vetëm javën e fundit në kryeqytet janë regjistruar 2 raste ku dy motra dhe vëlla e motër u larguan nga banesa me dëshirë.

Në të dyja rastet të miturit u gjendën shumë kilometra larg banesave të tyre. Sipas psikologëve këto veprime janë pasojë e problemeve në familje por edhe një marrëdhënie të mbyllur mes prindërit dhe fëmijës.

“Largimi nga shtëpia mund të sjellë sjellje të pakontrolluar të fëmijëve të nxitur nga emocionet, por edhe nga inati personal si pasojë e konflikteve që lindin gjithmonë në familje.

Kjo është mosha më delikate, për shkak pasi lind dhe kriza e identitetit, ku fëmijët priren të nxiten kryesisht nga emocionet sepse është mosha që fillojnë dhe lidhjet e dashurisë dhe njohjet midis të rinjve, por ka dhe një përplasje të botë-kuptimit midis prindërve dhe fëmijëve. Dhe sigurisht që kjo nxit gjithmonë konfliktin dhe bën të mundur që në tension e sipër, në inat e sipër të rinjtë të largohen, duke shkaktuar kështu sjellje në të cilat do të mendojnë që prindërit do t’i vënë përballë përgjegjësisë dhe vështirësisë”, tha Aurela Agalliu, psikologe.

Në këtë situatë prindërit duhet të marrin edhe rolin e psikologut.

“Unë do të rekomandoja kryesisht një kujdes shumë të lartë të prindërve në komunikim me fëmijët, duhet të komunikojnë, nuk duhet të nxisin konfliktin, nuk duhet të reagojnë ashpër sepse pikërisht është koha dhe momenti kur ata kanë më shumë nevojë të dëgjohen, të mbështeten dhe vlerësohen”, shprehet Aurela Agalliu, psikologe.

Top Channel