Arabia Saudite denoncon rezolutat e Senatit amerikan

17/12/2018 10:52

Arabia saudite ka denoncuar rezolutat e Senatit amerikan për t’i dhënë fund ndihmës ushtarake amerikane për luftën e udhëhequr nga Riadi në Jemen dhe për të fajësuar Princin e Kurorës për vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi.

Ministria e Jashtme sauditre e cilësoi lëvizjen si ndërhyrje bazuar në aludime të pabaza. Rezolutat amerikane janë kryesisht simbolike dhe nuk ka gjasa të marrin formën e ligjit. Por ato i dërgojnë një paralajmërim Presidentit Donald Trump për zemërimin e ligjvënësve amerikanë kundrejt politikave të Arabisë Saudite.

Në një deklaratë të Ministrisë së Jashtme saudite thuhej: “Mbretëria dënon pozicionin më të fundit të Senatit amerikan. Një pozicion i tillë është ngritur mbi akuza të pabaza. Arabia Saudite refuzon çdo ndërhyrje në çështjet e saj të brendshme. Mbretëria edhe më herët ka thënë se vrasja e qytetarit saudit Jamal Khashoggi është një krim për të ardhur keq që nuk reflekton politikat e mbretërisë dhe as institucioneve të saj dhe riafirmon refuzimin e çdo përpjekjeje për ta nxjerrë këtë rast jashtë kursit të drejtësisë”.

SHBA deri më tani nuk i është përgjigjur publikisht deklaratës saudite.

Top Channel