Francë, “jelekverdhët” dalin sërish në sheshe

15/12/2018 14:40

Protestuesit “jelekverdhë” u mblodhën në “Champs Elysees” në Paris për të 5-tën fundjavë radhazi të demonstratave të tyre. Mijëra policë u dislokuan në rast përplasjesh të dhunshme, që kanë shënjuar protesta të mëparshme.

Lëvizja nisi 5 javë më parë, fillimisht kundër rritjes së taksës së karburantit, por që atëherë u zgjerua duke përfshirë edhe çështje të tjera, përfshi reformën në arsim.

Dhjetëra persona janë arrestuar ndërkohë, në orët e para të mëngjesit. Sidoqoftë, deri më tani numri i arrestimeve është më i ulët, krahasuar me 300 të ndaluarit deri në të njëjtën orë të fundjavës së kaluar.

Disa dyqane dhe magazina u mbyllën, ndërsa protestuesit sfiduan apelet e qeverisë franceze që u kishte kërkuar atyre të qëndronin në shtëpi.

“Herën e kaluar ne ishim këtu për taksat. Tani jemi këtu për institucionet. Ne duam demokraci më të drejtpërdrejtë dhe jo të bërtasim kaq shumë për t’u dëgjuar”, tha një protestues.

Disa muze në qendër qëndruan të mbyllur, por ai i Luvrit dhe kulla Eiffel jo. Pasojat e demonstratave të “jelekverdhëve” janë ndierë gjerësisht në Francë. Qeveria është detyruar të zmbrapset para presionit dhe të rishohë kursin e saj ekonomik.

Top Channel