I ftuar në emisionin “Open” të Eni Vasilit, ish kryeministri Sali Berisha komentoi edhe deklaratat e bëra ditët e fundit nga deputetja e partisë Demokratike, njëkohësisht vajza e Azem Hajdarit, Rudina.
“Ajo është deputete dhe njëkohësisht e bija e Azemit, ndaj duhej të ishte parashikuar edhe fjala e saj atë ditë. Azemi është betuar dy herë në jetën e tij, më datën 8 Dhjetor dhe më 12 Dhjetor, dhe në të dy rastet u është drejtuar studentëve, duke u thënë se ‘më parë u fut thikën Kirit dhe Rudinës, sesa u tradhtoj juve’. Ajo nuk largohet nga Partia Demokratike, por është ‘e bija e të atit’ dhe genin e shprehjes së mendimit, ajo e ka tërësisht të Azemit, që ishte i jashtëzakonshëm”, deklaroi Sali Berisha.
Ish kryeministri i vendit e cilësoi si inskenim, momentin e grisjes së logove të partive gjatë ditës së sotme në protestën e studentëve, ndërsa theksoi se aty mungon udhëheqja vertikale, pasi janë të gjithë të barabartë.
Pyetjes nëse studentët e kanë humbur besimin ndaj klasës politike, po e refuzojnë klasën politike dhe po rrezikojnë këtë të fundit, Berisha iu përgjigj qartësisht në “Open”.
“Nuk mund të ketë asnjëherë krahasim mes meje dhe Edi Ramës. Studentët nuk kanë asnjë problem me opozitën, pasi sistemin arsimor e shkatërroi Edi Rama. Në diktaturë, një orë leksion mua më njihej sa për dy orë, ndërsa sot pedagogët trajtohen njësoj si mësuesit e gjimnazeve. Ne jepnim 500 mijë euro për kërkime shkencore, ndërsa këta e kanë bërë të domosdoshme që çdo projekt kërkimor të firmoset nga “ndrikull Kulla”. Pra, ka humbur tërësisht liria akademike”, u shpreh Berisha.
Top Channel