Presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin priti në selinë e tij presidentin e FFK-së, Agim Ademi dhe sekretarin e përgjithshëm të FFK-së, Eroll Salihu.

Në një takim miqësor kreu i qeverisë së futbollit kontinental i dha përkrahje të vazhdueshme zyrtarëve kosovarë, si dhe shprehu gatishmërinë për ta përkrahur strategjinë e futbollit për FFK-në dhe projektet të cilat i paraqiti presidenti Ademi për vitet në vijim.

Presidenti i UEFA-s u shpreh tejet i kënaqur dhe i mahnitur me zhvillimin, organizimin dhe punën e FFK-së dhe përgëzoi presidentin Ademi për punën e tij, si dhe për rezultatet e ekipeve të të gjitha kategorive dhe sidomos të përfaqësueses A.

Çeferin shprehu dëshirën që të vizitojë sërish Kosovën dhe të shikojë edhe një ndeshje të kualifikimeve për Evropianin 2020 në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Çeferin përgëzoi Ademin dhe Salihun edhe për raportet e mira me institucionet e shtetit të Kosovës dhe i falënderoj ato nëpërmjet tyre për përkrahjen dhe ndihmën që po i japin FFK-së dhe sipas tij ky është lajm i mirë për futbollin e Kosovës.

Top Channel