Njëra nga ofertat e bëra nga kryeministri Rama paraditen e kësaj të hëne në komunikimin e drejtpërdrejtë të tij me studentët protestues përmes rrjeteve sociale, ishte përgjysmi i tarifës së studimit, ndoshta deri në zerim të saj për ata që vijnë nga shtresat në nevojë e me ndihmë ekonomike.
Por, njëri prej studentëve të pranishëm në studion e “Open” të Eni Vasilit, deklaroi se e refuzonte këtë sepse sipas tij mungojnë kushtet për të studiuar, vlerësimi ndaj studentëve nuk mund të bëhet mbi bazën e notës, sepse ata po mësojnë me leksione të fotokopjuara dhe bëjnë vetëm riprodhim. Nuk kanë as laboratorë dhe tekstet mungojnë nëpër biblioteka, e për këto arsye studentët nuk mund të japin maksimumin.
“Çdo pikë që ka përmendur kryeministri, – sipas një studenti, – është në kundërshtim me fjalët e tij”. Ndërsa një studente deklaroi e vendosur se pikat e kërkesave të tyre janë të panegociueshme dhe se protesta do të vazhdojë deri në fund, derisa të plotësohen të gjitha.
Studenti i radhës akuzoi për marrje ryshfeti administruesit e konvikteve, për ata që vijnë rishtazi në universitet e konvikt, që me kalimin e viteve të studimit u duhet të ndryshojnë katet brenda godinës. Pikërisht për këtë, studenti në fjalë thotë se u duhet të japin ryshfet që t’iu bëhet e mundur të mos qëndrojnë në katin e parë, ose të fundit.
Pedagogët e pranishëm në panel ishin thuajse njëzëri kundër disa kërkesave të cilësuara si të ekzagjeruara të studentëve, ku si shembull mund të sillet barazia në Bordin e Administrimit. Sipas pedagogut Prifti, studentët nuk mund të kenë barazpeshë totale në zgjedhjen e një dekani apo rektori, pasi s’ka kuptim të barazosh statusin e studentit me të një pedagogu.
Top Channel