Trump: Jemi pranë marrëveshjes me Kinën, por unë nuk e preferoj

29/11/2018 17:51

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi këtë të enjte se një marrëveshje tregtare me Pekinin është shumë “pranë” arritjes, por shtoi se ndoshta ai nuk do të preferojë arritjen e një të tille, duke ftohur kështu shpresat për një zgjidhje të ngërçit gjatë një samiti të kësaj jave.

Trump dhe homologu i tij kinez, Xi Jinping pritet të takohen gjatë samitit të grupit të 20 vendeve më të industrializuara të botës, G20, në Argjentinë, duke nisur nga e premtja.

“Mendoj se jemi shumë pranë arritjes së diçkaje me Kinën, por nuk di të them nëse e dua realisht këtë gjë apo jo”, tha Trump për reporterët e pranishëm në Shtëpinë e Bardhë, përpara se të nisej drejt Buenos Airesit.

Trump ka vendosur tarifa ndëshkuese ndaj produkteve kineze të importit me vlerë mbi 250 miliardë dollarësh, gjatë këtij viti, duke kërkuar prej Pekinit që t’u japë fund praktikave të padrejta tregtare dhe të rishikojë politikat industrialiste të kritikuara nga ekonomitë e tjera më të mëdha të botës.

Zyrtarët amerikanë kanë rinovuar gjatë ditëve të fundit kritikat ndaj Pekinit, pikërisht përpara takimit të pritur mes Xi dhe Trump. Tregjet, ndërkohë, shpresojnë që të arrihet një marrëveshje brenda fundit të këtij viti, kohë gjatë së cilës pritet që normat e interesit në SHBA të rriten ndjeshëm.

Këtë të enjte, Trump ripërsëriti gjithashtu faktin se tarifat amerikane po gjeneronin shumë “të ardhura nga taksat”.

“Ajo që kemi aktualisht është…miliarda e miliarda dollarë që po hyjnë në Shtetet e Bashkuara në formën e taksave”, tha ai.

Ekonomistët dhe kritikët e politikave tregtare të presidentit amerikan theksojnë ndërkohë se detyrimet po paguhen nga importuesit, e se kjo gjë konstituon një taksë ndaj industrisë dhe konsumatorit amerikan që nuk po paguhet nga Kina.

Megjithatë, Trump tha se besonte që Pekini po synon gjithashtu të arrijë një marrëveshje.

“Mendoj se Kina dëshiron të arrijë një marrëveshje. Unë jam i hapur për këtë gjë por, sinqerisht, mua më pëlqen më shumë ‘marrëveshja’ që kemi aktualisht”, tha shefi i Shtëpisë së Bardhë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA